BE-ja synon t’i japë Frontex-it kompetenca të reja për deportimin e migrantëve jashtë Evropës

BE-ja synon t’i japë Frontex-it kompetenca të reja për deportimin e migrantëve jashtë Evropës

Written by

in

Bashkimi Evropian po përgatit zgjerimin e kompetencave të agjencisë kufitare Frontex, duke i mundësuar asaj të ndihmojë në kthimin dhe deportimin e migrantëve të parregullt nga një vend jashtë BE-së në një tjetër.

Reforma e re synon ta shtrijë politikën evropiane të migracionit përtej kufijve të bllokut dhe pritet të shkaktojë reagime nga organizatat për të drejtat e njeriut, transmeton Telegrafi.

Sipas disa zyrtarëve të BE-së të cituar nga Euronews, Komisioni Evropian pritet ta prezantojë paketën e reformave të martën. Aktualisht, Frontex ndihmon autoritetet kombëtare në kthimin e migrantëve nga vendet e BE-së drejt shteteve të origjinës, si dhe merr pjesë në patrullimin e kufijve të jashtëm dhe vijave bregdetare të bllokut.

Me rregullat e reja, agjencia me seli në Varshavë do të mund të mbështesë edhe autoritetet e vendeve jashtë BE-së, përfshirë qeveritë e Afrikës së Veriut, për të kthyer shtetas të Afrikës Qendrore në vendet e tyre të origjinës përpara se ata të tentojnë të mbërrijnë në Evropë.

“Sa më shumë njerëz të ktheni përpara se të arrijnë në Evropë, aq më pak do t’ju duhet të ktheni pasi të mbërrijnë”, tha një zyrtar evropian për Euronews.

Frontex do të lejohet gjithashtu të marrë pjesë në deportimet nga qendrat e kthimit, të cilat një ligj i miratuar së fundmi u mundëson vendeve të BE-së t’i krijojnë në shtete të treta. Pesë qeveri evropiane janë duke negociuar krijimin e qendrës së parë, e cila pritet të nisë funksionimin në vitin 2027.

Në këto qendra do të strehohen migrantë, kërkesat e të cilëve për azil ose e drejta për të qëndruar në BE janë refuzuar. Ata pritet të kthehen përfundimisht në vendet e origjinës, ndërsa përfshirja e Frontex-it mund ta lehtësojë organizimin e transferimeve përfundimtare.

Josephine Solanki, studiuese në institutin kërkimor Transnational Institute me seli në Amsterdam, tha se agjencia po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strukturë deportimi që vepron larg kufijve të drejtpërdrejtë të BE-së, dhe jo vetëm në një institucion që mbështet vendet anëtare në kontrollin kufitar.

Organizatat joqeveritare dhe grupet e shoqërisë civile kërkojnë që zgjerimi i mandatit të Frontex-it të shoqërohet me mekanizma më të fortë mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje, për të garantuar respektimin e të drejtave themelore të migrantëve. Ato argumentojnë se agjencia është përfshirë më parë në raste të shkeljeve të të drejtave gjatë operacioneve të saj brenda Evropës.

Megjithatë, çdo bashkëpunim i Frontex-it me një vend jashtë BE-së do të kërkojë një marrëveshje të posaçme me shtetin përkatës. Marrëveshje të tilla, të njohura si “marrëveshje statusi”, ekzistojnë tashmë me disa vende joanëtare, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ato u mundësojnë zyrtarëve të agjencisë të angazhohen në detyra të caktuara, operacione të përbashkëta dhe ndërhyrje të shpejta kufitare në territorin e vendeve partnere.

BE-ja është duke negociuar një marrëveshje me Senegalin. Ndërkohë, një oficer ndërlidhës i Frontex-it për Senegalin, me mandat që përfshin edhe Mauritaninë dhe Gambian, është emëruar në vitin 2023 në kuadër të marrëveshjeve joformale të bashkëpunimit.

Reforma parashikon gjithashtu krijimin e një force për reagim të shpejtë, e cila do të angazhohet në rast të mbërritjeve të papritura dhe masive të migrantëve të parregullt. Po ashtu, do të krijohet një njësi për mbikëqyrjen online, e ngarkuar me monitorimin e rrjeteve sociale për të parandaluar lëvizjet masive të migrantëve.

Këto masa synojnë të shmangin situata si ajo e korrikut të kaluar në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, ku rreth 90 mijë migrantë kaluan me forcë kufirin nga Maroku, sipas raportimit të Euronews.

Reforma pritet të prezantohet nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për Sigurinë, Henna Virkkunen, dhe komisioneri për Punët e Brendshme, Magnus Brunner, pas mbledhjes së përjavshme të Komisionit të martën.

Në kuadër të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, Frontex pritet të përfitojë 12 miliardë euro, dyfishin e financimit të mëparshëm. Kjo rritje do të forconte kapacitetet e agjencisë në një kohë kur blloku po synon të zgjerojë kontrollin dhe zbatimin e politikave të kthimit të migrantëve edhe përtej territorit të tij. /Telegrafi/