
Disa persona kanë mbetur të lënduar pasi një veturë është drejtuar qëllimisht drejt një grupi njerëzish në qytetin Neustadt am Rubenberge, pranë Hanoverit, në Gjermani, pak para mesnatës të së hënës.
Sipas një zëdhënësi të policisë, nga incidenti kanë mbetur të lënduar katër deri në pesë persona, me plagë që variojnë nga të lehta deri në të rënda, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Një patrullë policore, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes duke kryer një kontroll rutinor të trafikut, ndërhyri për të parandaluar pasoja të tjera. Gjatë incidentit, zyrtarët policorë qëlluan me armë zjarri drejt automjetit, bëri të ditur zëdhënësi.
Informacionet fillestare sugjerojnë se personat e përfshirë në incident njiheshin mes vete.
Ndërkohë, personat që ndodheshin në veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe vazhdojnë të jenë në arrati. Policia po merret me rastin, ndërsa rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta.