“Rregulli Vinicius Junior” i hap telashe Neymarit, ylli brazilian përballet me dënim të rëndë

“Rregulli Vinicius Junior” i hap telashe Neymarit, ylli brazilian përballet me dënim të rëndë

Written by

in

Neymari përballet me masa disiplinore në Brazil, pasi është dërguar para Gjykatës së Lartë të Drejtësisë Sportive (STJD) për shkeljen e të ashtuquajturit “rregulli Vinicius Junior”.

Sulmuesi i Santosit do të paraqitet para organit disiplinor të mërkurën, më 28 tetor, për të dhënë llogari lidhur me incidentin e ndodhur në ndeshjen e së shtunës ndaj Bahias, në kuadër të kampionatit brazilian.

Ngjarja ndodhi gjatë pushimit mes dy pjesëve, kur Neymari u përfshi në një debat me Rodrigo Nestor.

Gjatë përplasjes, braziliani mbuloi gojën me dorë, ndërsa pas shqyrtimit të pamjeve përmes sistemit VAR, gjyqtari Savio Pereira Sampaio e ndëshkoi me karton të kuq.

Prokuroria e ka akuzuar futbollistin në bazë të nenit 191, i cili parasheh gjobë nga 100 deri në 100 mijë realë brazilianë për mosrespektimin e rregulloreve të një organizate sportive.

Përveç kësaj, prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të zbatohet edhe neni 258 i kodit disiplinor, që lidhet me shkeljet e disiplinës dhe etikës sportive.

Ky nen parasheh pezullim nga një deri në gjashtë ndeshje.

Problemet e Neymarit nuk përfundojnë këtu. Ai do ta humbasë edhe ndeshjen e ardhshme të Santosit kundër Bragantinos, që zhvillohet të hënën, pasi ndaj Bahias mori kartonin e tretë të verdhë në kampionat./Telegrafi/