Fenerbahce ka dalë me një reagim të ashpër pas incidenteve të raportuara në derbin ndaj Galatasarayt, duke kërkuar hetim të plotë dhe ndëshkim për të gjithë personat e përfshirë në sulmet e pretenduara ndaj futbollistëve të saj.
Në komunikatën zyrtare, klubi nga Stambolli pretendon se situata u tensionua fillimisht pas fyerjeve në drejtim të Kerem Akturkoglut, përpara se incidentet të përshkallëzoheshin në përplasje fizike.
Sipas versionit të Fenerbahçes, Matteo Guendouzi u sulmua nga Serhat Dogan, pjesë e ekipit të analizës së Galatasarayt. Klubi pretendon gjithashtu se në incident u përfshi edhe Abdulkerim Bardakci, i cili dyshohet se ia tërhoqi flokët futbollistit të Fenerbahces.
Drejtuesit e klubit e kanë dënuar ashpër atë që e konsiderojnë sjellje të papranueshme, duke theksuar se tensioni që shoqëron një derbi nuk mund të përdoret si arsyetim për sulmet ndaj futbollistëve.
“Rivaliteti dhe tensioni i një derbi nuk i japin askujt të drejtën të sulmojë futbollistët tanë. Ajo që ndodhi nuk mund të justifikohet me ‘tensionin e derbit’”, thuhet në komunikatën e Fenerbahces.
Klubi kërkon që të gjitha incidentet të shqyrtohen në mënyrë të plotë dhe personat përgjegjës të përballen me masa disiplinore, pavarësisht pozitës apo rolit të tyre.
“Rruga për ta parandaluar dhunën në futbollin turk është që përgjegjësit të mos mbeten pa u ndëshkuar”, përfundon reagimi.
Tashmë pritet të shihet nëse organet përkatëse do të nisin procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe nëse do të ketë masa disiplinore ndaj personave të përmendur./Telegrafi/