Zelensky falënderon Finlandën dhe Norvegjinë për diplomacinë dhe përpjekjet për paqe

Zelensky falënderon Finlandën dhe Norvegjinë për diplomacinë dhe përpjekjet për paqe

Written by

in

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur mirënjohje për Finlandën dhe Norvegjinë për mbështetjen aktive ndaj Ukrainës në përpjekjet diplomatike dhe iniciativat për arritjen e paqes.

Zelensky zhvilloi një bisedë me presidentin finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Støre, pak kohë pasi këta të fundit kishin zhvilluar një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas liderit ukrainas, gjatë bisedës me Putinin, Stubb dhe Støre ia bënë të qartë presidentit rus se nevojiten “hapa realë për uljen e tensioneve”, veçanërisht lidhur me sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera infrastrukturore të Ukrainës.

Zelensky theksoi se Finlanda dhe Norvegjia kanë interes të veçantë për krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm dhe të besueshëm të sigurisë, për shkak se të dyja vendet kufizohen me Rusinë.

Sipas tij, siguria në rajon dhe garancitë që mund të vendosen për të parandaluar përshkallëzime të mëtejshme janë çështje me rëndësi të drejtpërdrejtë për këto shtete, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se gjatë bisedës me liderët finlandezë dhe norvegjezë u diskutuan edhe përgatitjet për takimet e planifikuara mes negociatorëve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat pritet të zhvillohen në Abu Dhabi muajin e ardhshëm.

Kontaktet diplomatike vijnë në një kohë kur Kievi po kërkon hapa konkretë për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës së tij dhe për krijimin e kushteve që mund të çojnë drejt negociatave për përfundimin e luftës.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse bisedimet e planifikuara do të sjellin përparim konkret drejt uljes së tensioneve dhe arritjes së një marrëveshjeje. /Telegrafi/