Momente paniku në fluturimin Prishtinë–Basel, pasagjeri thyen xhamin, u kërkua edhe ndihma e mjekut

Momente paniku në fluturimin Prishtinë–Basel, pasagjeri thyen xhamin, u kërkua edhe ndihma e mjekut

Written by

in

Një incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fluturimin e kompanisë easyJet nga Prishtina drejt Baselit, duke shkaktuar momente paniku dhe frike te udhëtarët në bord.

Sipas informacioneve që KosovaNews ka siguruar nga disa pasagjerë që ndodheshin në aeroplan, ngjarja ka nisur rreth gjysmë ore pas ngritjes së avionit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Fluturimi drejt Baselit ishte planifikuar të nisej në orën 20:05.

Fillimisht, një grua rreth 40-vjeçare dyshohet se ka pësuar rënie akute të tensionit të gjakut dhe një gjendje të theksuar ankthi, duke qenë pranë alivanosjes.

Ekuipazhi i aeroplanit ka kërkuar menjëherë ndihmë nga pasagjerët, duke pyetur nëse në bord ndodhej ndonjë mjek.

Për fat të mirë, mes udhëtarëve ishte neurokirurgu kosovar, dr. Valon Baraliu, i cili punon në një spital në Gjermani.

Pas ndërhyrjes së tij dhe dhënies së ndihmës së parë, gjendja e pasagjeres është stabilizuar.

KosovaNews ka kontaktuar dr. Baraliun, i cili ka konfirmuar ngjarjen dhe ndërhyrjen e tij për t’i ofruar ndihmë udhëtares.

“Po, unë, së bashku me qindra udhëtarë, isha në fluturimin e kompanisë easyJet të orës 20:05, në linjën Prishtinë–Basel. Rreth gjysmë ore pas nisjes së avionit, një udhëtare rreth 40-vjeçare përjetoi një gjendje të rëndë të aritmisë akute, të shoqëruar me hiperventilim, marramendje dhe gjendje të theksuar ankthi e sulmi paniku.

Ekuipazhi dhe pilotët kërkuan ndihmë përmes altoparlantit, duke pyetur nëse kishte ndonjë mjek në bord. Unë, pa hezitim, u ngrita dhe i ofrova ndihmë profesionale pacientes, ashtu siç e kërkojnë detyra dhe profesioni im. Në bord ishte edhe një infermiere e re, e cila na u bashkua, së bashku me ekuipazhin e aeroplanit, që ishte në gatishmëri dhe na mbështeti gjatë gjithë kohës.

Pas ndërhyrjes sime, gjendja e pacientes u stabilizua dhe ekuipazhit i sugjerova se mund ta vazhdonim udhëtimin pa pasur nevojë për ulje emergjente”, ka deklaruar Baraliu.

Megjithatë, situata në avion nuk përfundoi me kaq.

Rreth gjysmë ore pas incidentit të parë, një tjetër udhëtar, rreth 42-vjeçar, shtetas zviceran me prejardhje nga Kosova, dyshohet se ka shfaqur papritur sjellje agresive dhe të dhunshme, pa ndonjë shkak të dukshëm.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, ai ka thyer me forcë xhamin e brendshëm të dritares pranë ulëses së tij, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te udhëtarët e tjerë.

Edhe këtë rast e ka konfirmuar neurokirurgu Valon Baraliu, të cilit ekuipazhi i kishte kërkuar sërish ndihmë për të vlerësuar gjendjen e pasagjerit.

“Pak kohë pas rastit me udhëtaren, siç ju shpjegova, në pjesën e prapme të aeroplanit dëgjova një zhurmë që përkoi me thyerjen e xhamit të brendshëm të dritares nga një udhëtar, pa ndonjë shkak të dukshëm. Pasagjerët në atë pjesë u kapluan nga paniku.

Personi në fjalë, rreth 42-vjeçar, kishte thyer xhamin e brendshëm pranë dritares së avionit. Ekuipazhi më kërkoi përsëri që ta ekzaminoja gjendjen e tij psikofizike. Kur iu afrova, personi, ndonëse dukej fizikisht stabil, nuk fliste asnjë fjalë dhe nuk reagonte ndaj pyetjeve të mia.

Nuk mund të konfirmoj nëse ishte nën ndikimin e ndonjë medikamenti apo në një gjendje çrregullimi ose sforcimi mendor në momentin e kryerjes së veprimit, pa iu nënshtruar analizave përkatëse.

Më pas, udhëtari u mbajt nën mbikëqyrjen e disa pasagjerëve deri në uljen e aeroplanit në Aeroportin e Baselit, ku më pas u mor në kontroll nga xhandarmëria e aeroportit.

Duhet të theksoj se gjatë gjithë kohës, si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, ekuipazhi i easyJet-it u tregua shumë profesional, human dhe mbështetës. Pavarësisht situatës, pjesëtarët e ekuipazhit arritën ta mbanin atë nën kontroll me qetësi dhe përkushtim”, ka deklaruar Baraliu.

Dëshmitarët e kanë përshkruar atmosferën në bord si tejet të tensionuar, duke thënë se shumë pasagjerë, përfshirë familje me fëmijë, përjetuan momente paniku për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme gjatë fluturimit.

Ndërkohë, ndërhyrja e shpejtë e neurokirurgut kosovar, dr. Valon Baraliu, është vlerësuar nga ekuipazhi, kapiteni i avionit dhe pasagjerët, pasi ai i ofroi ndihmën e parë udhëtares që përjetoi gjendje të rënduar shëndetësore gjatë fluturimit./Telegrafi/