Jadon Sancho ka vendosur të mos transferohet te Getafe, pasi ka marrë një ofertë joshëse nga Arabia Saudite, raporton eksperti i transferimeve Matteo Moretto nga Marca.
Sulmuesi anglez ishte në bisedime me klubin spanjoll, i cili synonte ta bindte për t’u rikthyer në futbollin e La Ligës. Raportimet e mëhershme sugjeronin se Getafe i kishte ofruar një pagë prej vetëm 10 mijë funtesh në javë, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që oferta të jetë rritur gjatë negociatave.
Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ta bindur 26-vjeçarin, i cili tashmë e ka njoftuar Getafen se ka marrë një ofertë fitimprurëse nga Arabia Saudite.
Një klub, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është i gatshëm t’i plotësojë kërkesat financiare të Sancho-s, duke i ofruar rreth tre milionë euro për pjesën e mbetur të sezonit.
Sancho është lojtar i lirë që nga vera e këtij viti, kur i përfundoi kontrata me Manchester Unitedin. Ai i kaloi dy sezonet e fundit në huazim, fillimisht te Chelsea dhe më pas te Aston Villa, por asnjëri prej klubeve nuk vendosi ta transferonte përfundimisht.
Tashmë, Arabia Saudite mund të jetë destinacioni i radhës për sulmuesin anglez, i cili është në kërkim të klubit të ri për të vazhduar karrierën./Telegrafi/