Kurti: FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë pritet të vijnë më 2027

Kurti: FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë pritet të vijnë më 2027

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se flotës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë shtuar 12 kamionë ushtarakë Unimog 5T, 4×4, të tipit Mercedes-Benz.

Sipas Kurtit, këta kamionë i janë shtuar flotës prej 15 kamionëve Rheinmetall, ndërsa ditë më parë kanë arritur edhe tetë kamionë KX 8×8, të blerë nga kompania Rheinmetall. Me këto prurje, numri i kamionëve të këtyre dy kategorive arrin në 35 automjete.

Kurti ka bërë të ditur se dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.

Ai ka shpjeguar se kamionët Unimog 5T janë të projektuar për të lëvizur në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, ndërsa kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 rrisin kapacitetet transportuese dhe forcojnë mbështetjen logjistike të FSK-së.

Kurti ka theksuar se investimet në këto kapacitete janë pjesë e angazhimit për forcimin e mbrojtjes së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s.

Ai ka përmendur edhe pranimin e rekrutëve të rinj në FSK, duke bërë të ditur se të premten e kaluar u betuan 515 rekrutë, ndërsa në fillim të kësaj jave 209 të tjerë nisën trajnimin.

“Ndërsa këtë javë po e mbyllim me pranimin e 12 kamionëve”, ka shkruar Kurti.

Burimi: Dukagjini