Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 62 vota për rishikimin e Buxhetit për vitin 2026, i cili përfshinte shtatë amendamente. Megjithatë, vetëm dy prej tyre morën mbështetjen e deputetëve, ndërsa propozimet e opozitës nuk u miratuan.
Rishikimi i buxhetit u shoqërua me debate dhe akuza mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me ndarjen e mjeteve për pagën e 13-të dhe pagesat retroaktive për përvojën e punës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e cilësoi propozimin e Qeverisë si “mbulesë për 120 milionë euro, për të cilat u vendos në fillim të vitit”, duke pretenduar se ligji ka probleme si në aspektin procedural, ashtu edhe në përmbajtje.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kërkoi sqarime nga Ministria e Financave, duke thënë se duhet të bëhet e qartë nëse ndryshimet synojnë të mbulojnë pagën e 13-të, e cila ishte ndarë në fillim të këtij viti.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, i cilësoi ndryshimet e propozuara si dinakëri të ministrit Murati.
Këto kritika u kundërshtuan nga ministri i Financave, i cili tha se paga e 13-të për vitin 2026 ishte paraparë në buxhet dhe ishte paguar gjatë këtij viti.
“Paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar. Kjo që po ndodh është mbulimi i hendekut nga alokimi i parakohshëm, ashtu siç e ka paraparë Ligji i Buxhetit. E paga e 13-të për vitin e ardhshëm paguhet në fillim të vitit të ardhshëm”, deklaroi Murati.
Ai shtoi se ndryshimet lidhen edhe me pagesën retroaktive të përvojës së punës.
Pas kësaj deklarate, debati mes ministrit dhe deputetëve opozitarë u ashpërsua. Hoti e akuzoi Muratin për keqpërdorim dhe e quajti gënjeshtar, ndërsa Haxhiu e cilësoi atë “mashtrues”. Bajrami, nga ana tjetër, e quajti situatën “keqplanifikim të planifikuar”.
Në shtator, Qeveria kishte miratuar ndryshimet që parashiheshin të mundësonin rialokimin e 102 milionë eurove për pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe për mbulimin e pagesave retroaktive të diferencës së shtesës prej 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vitin e kaluar, Qeveria kishte ndarë pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.
Shtesa për përvojën e punës ishte ndryshuar me Ligjin për Paga të vitit 2022. Për 15 vjetët e parë të përvojës, shtesa ishte ulur nga 0.5 në 0.25 për qind për çdo vit, ndërsa pas vitit të 15-të parashihej 0.5 për qind. Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë ndryshim antikushtetues, pas së cilës qytetarët nisën të paraqesin padi për kompensimin retroaktiv të diferencës.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë shqyrtimit të amendamenteve ishte ndarja e një milion eurove për mbulimin e protezave për invalidët e luftës. Megjithatë, propozimi i Komisionit për Mirëqenie Sociale nuk mori mbështetjen e deputetëve. /Telegrafi/