​Ferizaj ngrihet në protestë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kërkohet drejtësi për viktimën

​Ferizaj ngrihet në protestë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kërkohet drejtësi për viktimën

Written by

in

Qytetarët marshuan nga sheshi i qytetit për te stacioni i policisë, Prokuroria Themelore e për ta përfunduar më pas marshimin te Gjykata Themelore në Ferizaj.

Gjatë marshit u bënë thirrje që institucionet të japin llogari, të shkarkohet ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeprokurorja e Pejës, e zinxhiri policor.

Një prej organizatoreve të protestës së sotme tha se papërgjegjësia institucionale dhe mendësia patriarkale vazhdon t’o shtypë e dhunojë gratë dhe ëndrrat e tyre.

Ajo tha se papërgjegjësia institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, nuk do të përfundojë me një deklaratë.

“Jemi mbledhur përsëri për të kërkuar që jeta e një gruaje të mos mbetët një statistikë. Jemi mbledhur për të protestuar kundër këtij realiteti të përgjakshëm. Sidomos këtë vit që po na i merr gratë një nga një si pasojë e një papërgjegjësie institucionale dhe një mendësie patriarkale që vazhdon t’i shtypë, dhunojë dhe të ua shuaj ëndrrat vajzave e grave si dhe të ua vjedhë fëmijërinë fëmijëve që po rriten pa nëna. Jemi lodhur nga fjalët ngushëlluese pas çdo vrasjeje, nga deklaratat boshe dhe nga premtimet që përsëriten, ndërsa graët vazhdojnë të vriten. Nuk duam më të numërojmë gra të vrara. Duam gra që e gëzojnë jetën. Përfaqësues të institucioneve që dështuan ta mbroni Arlindën, përgjegjësia e juaj nuk përfundon me një deklaratë. Polici e dashur, kur do të filloni të i trajtoni denoncimet për dhunë me seriozitet dhe profesionalizëm? Ne e dimë që nuk jeni të gjith të tillë, por ju lutem mos i jepni më shum rëndësi gjobave në komunikacion sesa sigurisë së jetës së grave. Prokurori, kur do të filloni të veproni me kohë? Gjykata, kur do të na siguroni drejtësi dhe të mos lejoni që dhunuesit të mos përfitojnë nga neglizhenca, vonesat apo dështimet institucionale? Nga këtu kërkojmë që çdo denoncim të merret seriozisht, që çdo kërcënim të vlerësohet siç duhet dhe çdo grua në rrezik të ketë mbrojtje konkrete”, tha ajo, raporton KosovaPress.

I pranishëm në këtë protestë ishte edhe vëllai i Erona Coklit e cila u vra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, Drilon Cokli, që po atë ditë mbeti i plagosur nga vrasësi i motrës së tij.

Ai tha se nuk janë të kënaqur me dënimin prej 24 vitesh për vrasësin e motrës së tij, teksa kërkoi drejtësi për të gjitha rastet e tjera.

“Deri kur do të vazhdojmë të humbim njerëz të pafajshëm në Kosovë? Çdo vrasje e lë një familje të shkatërruar, lot dhe dhimbje që nuk sherohen kurrë. Unë nuk flas vetëm si qytetar, por si vëlla që ka përjetuar humbjen më të rëndë. Më 12 prill 2024 humba motrën time, Eronën. Që nga ajo ditë, jeta ime nuk është më e njëjtë. Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur e shoh nipin tim duke e përmendur nënën e tij, duke e kujtuar dhe ndjerë mungesën e saj. Si mund të ia shpjegosh një fëmije që nëna e tij nuk do të kthehet më? Si mund ta mbushësh boshllëkun që askush nuk mund ta zëvendësojë. Ai do të rritet me mallin për nënën e tij. Ndërsa ne do të jetojmë me dhimbjen e humbje së Eronës. Si familje, nuk jemi të kënaqur prej 24 vitesh burgim. Për ne, asnjë dënim nuk mund ta kthejë Eronën. Por besojmë se jeta e saj meriton drejtësi dhe dhimbja e familjes sonë duhet të dëgjohet. Kërkoj që drejtësia të vije në vend dhe që rasti i saj të trajtohet me seriozitetin që e meriton. Ju lutem, mos i shihni vrasjet vetëm si lajme që harrohen pas disa ditësh. Pas çdo viktime ka një familje, një fëmijë që vuan, ëndrra që ndërprehen dhe dhimbje që zgjatë përgjithmonë. Drejtësi për Eronën dhe për të gjitha viktimat. Sa jetë të tjera duhet të humben dhe sa familje duhet të vuajnë që ta kuptojmë vlerën e jetës njerëzore?”, tha ai, raporton KosovaPress.

Gjatë ditës, përkatësisht në ora 16:00 do të mbahet edhe një protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, e cila është e dyta me radhë, pas asaj të djeshmes.