Mujaj për suspendimet në rastin Zekaj: Të vonuara dhe parciale, përgjegjësi ka edhe politika

Mujaj për suspendimet në rastin Zekaj: Të vonuara dhe parciale, përgjegjësi ka edhe politika

Written by

in

Ish-hetuesi, tash avokat, Muhamet Mujaj, i ka cilësuar të vonuara dhe të pjesshme suspendimet e zyrtarëve policorë dhe prokuroreve lidhur me trajtimin e raportimeve të së ndjerës Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Duke komentuar këtë çështje në FIVE të TV Dukagjinit, Mujaj ka thënë se suspendimet është dashur të bëheshin menjëherë, ndërsa ka vlerësuar se presioni i qytetarëve dhe mediave ka ndikuar në ndërmarrjen e këtyre masave.

“Suspendimet do të duhej të ishin të menjëhershme. Ndoshta nuk do të kishte suspendime deri tash fare, për shkakun se jemi mësuar si shoqëri të mos japim përgjegjësi. Mirëpo, ka qenë presioni shumë i madh i qytetarëve, i mediave, i njerëzve që e dinë çka është shteti. Ky presion ka ndikuar që të fillohet me suspendime, që i konsideroj të vonshme”, ka deklaruar Mujaj.

Ai ka vlerësuar se masat e ndërmarra deri më tani përfshijnë vetëm një pjesë të përgjegjësve të mundshëm, duke kërkuar që përgjegjësia të shtrihet edhe te institucionet e tjera.

“Po janë suspendime parciale, vetëm të një segmenti. Do të duhej me dhënë përgjegjësi pak më gjerë”, ka thënë ai.

Mujaj ka theksuar se përgjegjësia për rastin nuk duhet të kufizohet vetëm te institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, por duhet të shqyrtohet edhe roli i politikës dhe ministrive.

“Nuk janë vetëm institucionet e sigurisë e drejtësisë përgjegjëse. Janë përgjegjëse edhe politika, edhe ministritë, të gjitha institucionet që krijojnë politika dhe krijojnë kushte më të mira qytetarëve kanë përgjegjësi për këtë rast”, ka deklaruar Mujaj në FIVE.

Këto komente vijnë pas suspendimit të 11 zyrtarëve policorë, bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, si dhe suspendimit të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, pas rekomandimit të kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi.

Sipas gjetjeve preliminare të IPK-së, në trajtimin e rasteve të raportuara nga Zekaj janë evidentuar lëshime që lidhen me ekzekutimin e urdhrave mbrojtës, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe mosshqyrtimin e një kërkese të hetuesit policor për vlerësimin e rastit dhe shtimin e masave mbrojtëse.

Burimi: Dukagjini