Statistikë interesante: Vetëm Barcelona ka më shumë golashënues sesa Lazio në top ligat evropiane

Statistikë interesante: Vetëm Barcelona ka më shumë golashënues sesa Lazio në top ligat evropiane

Written by

in

Lazio po kalon një sezon mbresëlënës në Serie A, jo vetëm për rezultatet, por edhe për shpërndarjen e golave në mesin e futbollistëve të skuadrës.

Skuadra italiane ka realizuar 22 gola në nëntë ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa në listën e golashënuesve figurojnë 12 futbollistë të ndryshëm. Në këtë aspekt, vetëm Barcelona ka bërë më mirë deri më tani, me 13 lojtarë që kanë shënuar gola.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Lazio është ndër skuadrat më efikase në Serie A për sezonin 2026/27, duke ndarë kreun e tabelës me Interin, me nga 25 pikë të grumbulluara në nëntë xhirot e para.

Sa i përket numrit të golave, vetëm Interi me 25 dhe Roma me 23 kanë realizuar më shumë se Lazio, e cila deri tani ka shënuar 22 herë.

Tijjani Noslin është golashënuesi më i mirë i Lazios në kampionat, me katër gola të realizuar. Pas tij vijnë Davide Frattesi dhe Gustav Isaksen, me nga tri gola secili.

Kenneth Taylor dhe Mattia Zaccagni kanë shënuar nga dy herë, ndërsa Albert Gudmundsson, Matteo Cancellieri, Nuno Tavares, Andrea Pinamonti, Oliver Provstgaard, Fisayo Dele-Bashiru dhe Romano Floriani Mussolini kanë kontribuar me nga një gol.

Fitorja e fundit e Lazios ishte veçanërisht bindëse, pasi skuadra triumfoi 6-2 ndaj Sassuolos në stadiumin Mapei, të martën.

Tashmë, skuadra kryeqytetase do të synojë ta vazhdojë këtë formë në ndeshjen e radhës në Serie A, ku të dielën, më 1 nëntor, do ta presë Cagliarin.

Shpërndarja e golave te shumë futbollistë është një nga elementet që po e karakterizon sezonin e Lazios, duke e bërë skuadrën më pak të varur nga një golashënues i vetëm./Telegrafi/