
Gazetari malazez, Srgjan Kusovac, i ka reaguar kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, pasi ky i fundit ka deklaruar për herë të dytë se Mali i Zi është shteti më i vogël në Ballkan.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kusovac ka vlerësuar se përsëritja e kësaj deklarate nuk mund të konsiderohet thjesht lapsus, duke nënkuptuar se në këtë mënyrë po anashkalohet Kosova si shtet.
“Privatisht mund të mendoni çfarë të dëshironi, por si zyrtar i Malit të Zi jeni të detyruar ta trajtoni Republikën e Kosovës si shtet”, ka shkruar Kusovac, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit malazez.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 9 tetor 2008 dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën.
Megjithatë, deklarata e Spajiqit ka nxitur reagimin e gazetarit, i cili ka rikujtuar se përfaqësuesit e institucioneve malazeze duhet të marrin parasysh qëndrimin zyrtar të shtetit të tyre ndaj Kosovës.
Mali i Zi ka një sipërfaqe prej rreth 13.812 kilometrash katrorë, ndërsa Kosova rreth 10.905 kilometra katrorë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali