Lumturije Vuçetaj ishte ndër personat e parë, të cilës iu drejtua për ndihmë Arlinda Zekaj.
Zekaj, tek kryeprokurorja e Pejës, ishte ankuar për mostrajtim të duhur të rastit të saj, e vetëm tri ditë pas letrë, e njëjta u vra nga ish kunati i saj.
Zyra e kryeprokurorit të shtetit ka bërë një raport në lidhje veprimet e Prokurorisë Themelore në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, pasi ky raport është dërguar në Këshillin Prokurorial të Kosovës e i cili është konfidencial janë suspenduar kryeprokuroria e Prokurorisë në Pejë dhe zv.kryeprokuroria.Tashmë të njëjtat do të ballafaqohen në komisionin disiplinor i cili është themeluar nga KPK-ja.
Vendimi, doli nga një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Prokurorial, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura – e pas së cilës as kryeprokurori i shtetit, Zejnulla Gashi e as anëtarët e KPK-së, nuk kanë dashur të flasin.
Ndërsa përveç Vuçetajt, u suspendua edhe prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje.
“Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference A.Nr. 379/2026, e të paraqitura në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së A. Z. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, znj. Valbona Disha-Haxhosaj.”
Arlinda Zekaj u vra më sëpatë të dielën mbrëma, nga ish kunati i saj vetëm pak pasi që ishte kthyer nga stacioni policor i Pejës, ku ishte intervistuar pasi kishte denoncuar ish bashkëshortin për mospërfillje të urdhërit mbrojtës, të cilin e kishte lëshuar Gjykata në Pejë.
Burimi: Dukagjini
