
Veprime konkrete, u ndërmorën tek 4 ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në dy institucione të enjten pati suspendime.
Për njërin njoftoi Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme.
Këtu, pas inicimit të procedurës nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, u suspendua kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Ky këshill bëri me dije se është themeluar edhe paneli hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt.
Veç në prokurori, masa u morën edhe nga Policia e Kosovës.
Pas një takimi të realizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me rekomandim nga Inspektorati Policor, u suspenduan edhe 11 zyrtarë policorë.
Në mesin e tyre siç merr vesh Klani janë drejtori rajonal, Agron Hasanaj, komandanti i stacionit, Faik Jahmurataj, majori Ndue Nikolla, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë, Sami Lekaj, si dhe zëvendëskomandanti Dervish Haxhiaj.
Po ashtu, është suspenduar edhe Faruk Muqolli, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Pejës, së bashku me katër hetues dhe shefin e operativës.