
Tre persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë lënduar si pasojë e rrëzimit të një helikopteri të forcave paqeruajtëse të Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnjë-Hercegovinë.
Aksidenti ka ndodhur të enjten pasdite, në fshatin Gorice, pranë qytetit të Brçkos, në verilindje të vendit.
Siç raportohet, helikopteri i tipit CH-47 Chinook i përkiste ushtrisë italiane dhe ishte në shërbim të misionit të EUFOR-it.
Ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Nga EUFOR-i kanë konfirmuar se aksidenti ka ndodhur gjatë një operacioni rutinë. Sipas njoftimit të tyre, nuk ka pasur dëme në infrastrukturën civile dhe as persona civilë të lënduar.
Shkaqet e rrëzimit ende nuk dihen. EUFOR-i ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe ka bërë thirrje që qytetarët të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare. /Klankosova.tv