Përveç transmetimit të drejtpërdrejtë të festivalit, publiku do të mund ta ndjekë edhe emisionin “Postfest”, me analiza dhe diskutime pas përfundimit të secilës mbrëmje, ndërsa Radio Kosova ka përgatitur programe speciale, intervista dhe lidhje të drejtpërdrejta nga prapaskena e festivalit.
Një natë para nisjes së Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, Radiotelevizioni i Kosovës po finalizon edhe programet speciale që do ta shoqërojnë ngjarjen muzikore për tri net radhazi. Përveç transmetimit të drejtpërdrejtë të festivalit, publiku do të mund të ndjekë edhe emisionin “Postfest”, me analiza dhe diskutime pas përfundimit të secilës mbrëmje.
“Postfest-in, i cili do të transmetohet menjëherë pasi që të përfundojë çdo mbrëmje, do të thotë nga ora 23:15 minuta. Do të jemi bashkë me profesionistë të ndryshëm të cilët do të vijnë për të bërë analizën e gjithë këtij edicioni”, tha Egzona Rafuna.
Krahas transmetimit televiziv të drejtpërdrejtë dhe mbulimit në rrjetet sociale të RTK-së, edhe Radio Kosova ka përgatitur programe speciale, intervista dhe lidhje të drejtpërdrejta nga prapaskena e festivalit.
“Në tri netët e festivalit do të kemi emisione speciale, po ashtu jemi gati edhe për backstage-in ku është një pjesë e stafit të cilët do të jenë drejtpërdrejt për të realizuar intervista me gjithë të ftuarit, po ashtu edhe të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në realizimin e një festivali të tillë”, tha Nora Meqa, ushtruese e detyrës së redaktores përgjegjëse të Programit të Parë të Radio Kosovës.
Festivali “Akordet e Kosovës” nis të premten mbrëma, më 30 tetor, ndërsa më 31 tetor mbahet finalja e garës së të rriturve. Nata e tretë, më 1 nëntor, u kushtohet fëmijëve. Për tri net radhazi, RTK-ja do të sjellë jo vetëm interpretimet në skenë, por edhe zhvillimet që e shoqërojnë festivalin.
Burimi: RTKLive
