Dobruna ka thënë se rasti është veçanërisht tragjik, pasi, sipas saj, viktima kishte qenë e vetëdijshme për rreziqet dhe kishte ndërmarrë hapa për të kërkuar mbrojtje.
“Frikshëm që po bisedojmë për këtë ngjarje sot. Fatkeqësisht që ka ndodhur. Edhe fatkeqësia diçka është edhe më e madhe, se kjo grua, Erlinda Zekaj, kishte qenë grua e mençur, e vetëdijshme. Ne me vite jemi munduar me i edukuar gratë që me denoncuar dhunën. Dhe me i bindur që duhet me denoncuar. Kjo vetë i ka ndërmarrë gjithë këtë hapa dhe e ka parë për çdo ditë që do të vdesë. Edhe është shumë më tragjike se sistemi jo që ka dështuar, po e ka krijuar, është krijuar një gjendje që çdo grua në Kosovë mundet me qenë e cenuar, pavarësisht sa e vetëdijshme është për rreziqet, mundet me qenë e sulmuar dhe nuk ka kush e mbron. Sistemi ka dështuar”, ka deklaruar Dobruna në Prime të RTK-së.
Sipas ë saj, dështimi i sistemit në mbrojtjen e të drejtave të grave nuk është i kohëve të fundit, por një problem që ekziston prej vitesh.
“E ky sistem, mos ta teprojmë me thënë që është tash, ky sistem shumë kohë më parë ka dështuar, është zhvilluar në mënyrë të tillë që mos t’i mbrojë të drejtat e grave. Ato në letër janë të gjitha. Kushtetuta cek të gjitha konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë të zbatueshme në Kosovë. Edhe konventa të tjera të cilat kanë dalë më vonë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës, si Konventa e Stambollit për shembull, janë aprovuar, janë të zbatueshme në Kosovë në letër. Në praktikë, sistemi është strukturuar në mënyrë të tillë që askush nuk ka përgjegjësi, askush nuk ka mbrojtje jo vetëm të jetës, por as të dinjitetit të gruas”, ka thënë Dobruna.
Burimi: RTKLive
