Gërvalla dhe Sveçla mbajnë konferencë për rastin e Arlinda Zekajt

Gërvalla dhe Sveçla mbajnë konferencë për rastin e Arlinda Zekajt

Written by

in

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot konferencë të përbashkët për media lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.

Konferenca mbahet një ditë pasi Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme për këtë rast.

Sipas njoftimit të ZKM-së, raportet do të shqyrtohen dhe analizohen në detaje, duke përfshirë historikun dhe rrjedhën e rastit, si dhe çdo lëshim të mundshëm, trajtim të papërgjegjshëm, neglizhencë apo mosreagim institucional.

“Do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Konferenca e përbashkët për media është paralajmëruar të mbahet në orën 09:00, në ndërtesën e Qeverisë.

Ndërkaq, gjatë së enjtes, Policia e Kosovës suspendoi 11 zyrtarë policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës suspendoi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Burimi: Dukagjini