Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet” nga Winterthuri i Zvicrës do të organizojë një koncert festiv më 28 nëntor, me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Aktiviteti do të mbahet të shtunën, më 28 nëntor 2026, në Hotel Zentrum Töss në Winterthur, duke nisur nga ora 19:00. Hyrja për publikun do të jetë falas, ndërsa gjatë mbrëmjes do të ketë edhe ushqime tradicionale shqiptare.
Programi artistik do të sjellë valle nga trevat shqiptare, këngë patriotike dhe interpretime me motive të traditës kombëtare, të shoqëruara me veshje tradicionale, shkruan Telegrafi.
E ftuara speciale e mbrëmjes do të jetë Fatime Kalimashi. Në koncert do të interpretojnë gjithashtu Baca Shaqë, me lahutë dhe këngë kreshnike, Arbnor dhe Rrezart Kuqi, me çifteli, sharki dhe këngë patriotike, si dhe Marisa Murtezi dhe Eliza Zeqiri, të cilat do të sjellin interpretime nga melosi shqiptar.
Për realizimin teknik dhe cilësinë e zërit do të kujdeset Liridon Përvorfi.
Përmes këtij aktiviteti, Ansambli “Trojet” synon të bashkojë bashkatdhetarët dhe artdashësit shqiptarë në një mbrëmje festive, kushtuar flamurit, traditës dhe identitetit kombëtar./Telegrafi/