LEX | U rrah brutalisht një i ri dhe pati të shtëna me armë në Vushtrri – një muaj paraburgim edhe për Bekim Maxhunin, që tregoi ku e kishte fshehur pistoletën

LEX | U rrah brutalisht një i ri dhe pati të shtëna me armë në Vushtrri – një muaj paraburgim edhe për Bekim Maxhunin, që tregoi ku e kishte fshehur pistoletën

Written by

in

LEX | U rrah brutalisht një i ri dhe pati të shtëna me armë në Vushtrri – një muaj paraburgim edhe për Bekim Maxhunin, që tregoi ku e kishte fshehur pistoletën

Zhvillime të reja në rastin e rëndë të tentimvrasjes në Vushtrri, ku një i ri ishte sulmuar me mjete të forta dhe kishte përfunduar i gjakosur, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar një muaj paraburgim edhe ndaj të dyshuarit të dytë, Bekim Maxhuni, i cili ishte vetëdorëzuar në Polici pas disa javësh në kërkim.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Maxhuni, i lindur në vitin 1998, është paraqitur të premten, më 30 tetor, para gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Pas shqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, gjykata ka vendosur që ndaj tij të caktohet paraburgimi prej një muaji, ndërsa i dyshuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

U dorëzua në Polici dhe tregoi ku e kishte fshehur armën

Bekim Maxhuni ishte në kërkim policor lidhur me ngjarjen e 30 shtatorit, kur Luan Lokaj, i lindur në vitin 1999, ishte sulmuar nga disa persona në afërsi të vendit të njohur si “Ura e Hekurit”, në rrugën “Xhavit Mulaku” në Vushtrri.

Më 28 tetor, Maxhuni është vetëdorëzuar te hetuesit rajonalë në Mitrovicën e Jugut, ku gjatë intervistimit ka zbuluar edhe vendin ku kishte fshehur një pistoletë dhe një fishek.

Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit kanë shkuar bashkë me të dyshuarin në lokacionin e treguar, ku kanë gjetur dhe sekuestruar armën.

Bëhet fjalë për një pistoletë të tipit “Crvena Zastava”, të kalibrit 7.65 mm, të prodhimit jugosllav, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari fillimisht ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa tashmë ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit.

Si ndodhi sulmi pranë “Urës së Hekurit”?

Ngjarja kishte ndodhur më 30 shtator, rreth orës 00:45, kur Policia ishte njoftuar se një person ndodhej i lënduar pranë “Urës së Hekurit”.

Në vendngjarje, zyrtarët policorë kishin gjetur Luan Lokajn të gjakosur në fytyrë, i cili kishte deklaruar se ishte sulmuar nga disa persona të panjohur me mjete të forta, ndërsa njëri prej tyre kishte shtënë disa herë me armë në ajër.

Si pasojë e sulmit, Lokaj kishte pësuar lëndime në kokë, frakturë të hundës dhe thyerje të gishtave në të dyja duart. Pas ndihmës së parë në Vushtrri, ai ishte transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

Në vendin e ngjarjes ishte gjetur edhe një veturë VW Caddy, ngjyrë portokalli, e përplasur në një shtyllë të ndriçimit publik.

Gjatë ekzaminimit, Policia kishte gjetur katër gëzhoja, një karikator me pesë fishekë dhe një fishek tjetër brenda automjetit.

Të dy të dyshuarit tashmë në paraburgim

Për këtë rast, më 7 tetor ishte paraqitur në Polici edhe i dyshuari tjetër, Naim Maxhuni (57), ndaj të cilit Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte caktuar një muaj paraburgim më 9 tetor.

Me vendimin e fundit ndaj Bekim Maxhunit, të dy personat e dyshuar për këtë rast ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë për veprën penale “Vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali