Pas 38 vitesh rikthehet në “Akordet e Kosovës”, Deniza Begolli rrëfen kujtimet dhe dashurinë për muzikën

Pas 38 vitesh rikthehet në “Akordet e Kosovës”, Deniza Begolli rrëfen kujtimet dhe dashurinë për muzikën

Written by

in

Pas një mungese prej 38 vitesh, këngëtarja Deniza Begolli, është rikthyer në skenën e festivalit “Akordet e Kosovës”, këtë herë si e ftuar speciale në edicionin e mbajtur në fund të muajit tetor 2026.

Artistja, e cila ishte paraqitur për herë të fundit si garuese në këtë festival në vitet 1988/1989, u ngjit sërish në skenën ku dikur kishte prezantuar këngën e saj të njohur “Dëshira”.

Këtë herë, ajo e solli atë para publikut në një interpretim special, duke rikthyer një pjesë të kujtimeve të saj muzikore.

Deniza BegolliFoto: Telegrafi

Në një intervistë për Telegrafin, Begolli ka folur për emocionet e rikthimit, ndryshimet e mëdha që ka pësuar muzika ndër vite dhe sfidat me të cilat përballeshin artistët gjatë viteve të ’80-ta.

Duke krahasuar kohën kur ajo nisi të merrej me muzikë me mundësitë që ofron teknologjia sot, artistja tregoi se sfida më e madhe atëherë ishte sigurimi i një termini për të hyrë në studio dhe për të incizuar këngët.

“Ndryshimi është shumë i madh, përparimi i teknikës ndryshe është nga ajo që ka qenë atëherë. Mirëpo, unë mund të them se në ato kohëra, kur ne kemi bërë muzikë në vitet e ’80-ta, ka pasur një entuziazëm jashtëzakonisht të madh dhe kemi pasur shumë dashuri për muzikën. Kemi punuar pa kurrfarë interesi material, vetëm me kriju, me kriju, me kriju”, u shpreh ajo.

Sipas saj, përkushtimi ndaj muzikës ishte mbi gjithçka, ndërsa artistët e asaj kohe nuk përballeshin me shumë nga vështirësitë që mund të mendohen sot.

“Sfida më e madhe për neve atëherë ka qenë ta fitojmë terminin, qysh me hy në studio dhe me incizu. Kurrfarë problemi tjetër nuk kemi pasur”, kujtoi Begolli.

Deniza BegolliFoto: Telegrafi

U shpreh gjithashtu e kënaqur edhe me nivelin e edicionit të sivjetmë të festivalit, duke vlerësuar talentin e këngëtarëve dhe përkushtimin në organizim.

Ajo falënderoi veçanërisht drejtorin artistik Florent Boshnjaku për ftesën, duke bërë të ditur se ai, së bashku me Ilir Bajrin, ka punuar edhe në aranzhimin e këngës “Dëshira”.

Megjithëse nuk planifikon të jetë aq aktive në skenë sa dikur, Begolli zbuloi se ka një dëshirë që lidhet me krijimtarinë e saj të mëparshme, t’i mbledhë këngët që ka incizuar ndër vite në një album të vetëm.

Aktualisht, jeton dhe punon në Kroaci, ku vazhdon të jetë e angazhuar në muzikë. Me profesion është profesoreshë e muzikës dhe punon në një shkollë, ndërsa udhëheq edhe një grup vokal të grave.

– YouTube www.youtube.com

E njëjta është e përfshirë në jetën muzikore në Istria dhe në Kroaci, ku ka realizuar projekte të ndryshme me fëmijë, edhe incizimin e albumeve me këngë të shkruara nga vetë ata.

Këngëtarja tha se, ndonëse sot nuk punon për veten si dikur, është munduar që dijeninë dhe entuziazmin e saj për muzikën t’ua përcjellë gjeneratave të reja.

Pikërisht për këtë arsye, e vlerësoi edhe përfshirjen e mbrëmjes për fëmijë në edicionin e sivjetmë të “Akordeve të Kosovës”, duke shpresuar se kjo do të ndihmojë në zbulimin e talenteve të reja dhe nxitjen e tyre për t’u marrë me muzikë.

Në fund, ndau edhe një mesazh të thjeshtë, por domethënës për publikun: “Dëgjoni muzikë. Muzika është ilaç për shpirt dhe nxit shumë ndjenja pozitive”. /Telegrafi/