
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka pritur sot Thorsten Frei, Shef i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Gjermani.
Ajo njoftoi se me të biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, zhvillimet politike në vendet tona dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
“Vëmendje të veçantë i kushtuam forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy grupeve tona parlamentare, atij të LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman. Shkëmbimi i përvojave parlamentare, dialogu politik dhe angazhimi i përbashkët për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës do të jenë në fokus të bashkëpunimit tonë.
Gjermania mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë. Miqësia jonë do të forcohet përmes bashkëpunimit konkret shtetëror, por edhe në nivel parlamentar dhe ndërmjet partive tona simotra.”
Në fund, Lushaku-Sadriu shkroi se “trashëgimia politike e Konrad Adenauerit dhe Dr. Ibrahim Rugovës mbetet frymëzim për forcimin e partneritetit tonë dhe rrugëtimin e përbashkët drejt vlerave evropiane.” /Klankosova.tv