
Megaaksioni policor kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit, i cili po zhvillohet në Prizren dhe Suharekë, është shtrirë edhe në Dragash, ku po kryhen bastisje në lokacione të dyshuara për zhvillimin e veprimtarisë ilegale të bixhozit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se operacioni i Krimeve Ekonomike është duke u zhvilluar në disa lokacione në këto tri komuna, pas një periudhe të gjatë të punës hetimore, vëzhgimeve dhe sigurimit të informacioneve operative.
Siç raportoi Sinjali më herët, aksioni është ndërmarrë në bazë të urdhëresave të gjykatës kompetente, ndërsa hetimeve u kanë paraprirë edhe masa të fshehta hetimore, me qëllim të identifikimit të personave dhe lokacioneve ku dyshohet se organizoheshin lojëra të paligjshme të fatit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se aksioni është në zhvillim e sipër.
“Jam ne teren e nderuar, aksioni eshte ne vazhdim e siper!”, ka deklaruar Kryeziu për Sinjalin.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se gjatë bastisjeve, hetuesit kanë në fokus pajisjet që dyshohet se janë përdorur për organizimin e lojërave të fatit, paratë e gatshme, telefonat celularë, pajisjet DVR dhe prova të tjera materiale e elektronike.
Përmes këtyre veprimeve, hetuesit synojnë të dokumentojnë mënyrën e funksionimit të veprimtarisë së dyshuar, të identifikojnë personat e përfshirë dhe të zbardhin lidhjet eventuale ndërmjet lokacioneve që janë objekt i hetimit.
Deri në këto momente, nuk ka informacione të konfirmuara për numrin e lokacioneve të bastisura, personat eventualisht të arrestuar apo sendet e sekuestruara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali