Një ngjarje tjetër e tmerrshme po dyshohet të ketë ndodhur në Pejë.
Një 46 vjeçar, siç ka mësuar televizioni Dukagjini, ishte ndarë kohë më parë nga bashkëshortja e tij, dhe kohë pas kohe vajza e tyre qëndronte në shtëpinë e të atit.
Sipas burimeve, të afërta me këtë zhvillim, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht bijën e tij që është e mitur.
Televizioni ka mësuar gjithashtu, se fëmija fillimisht shqetësimin e kishte ngritur në shkollë, tek psikologia e shkollës, e cila pastaj kishte alarmuar organet e drejtësisë.
Dyshohet se kjo kishte ndodhur disa herë dhe se ka dyshime që ka ngacmuar edhe shoqet e të miturës.
Tashmë Prokuroria ka kërkuar për të paraburgim dhe Gjykata e ka aprovuar këtë kërkesë, duke e paraburgosur për 1 muaj.
“Një person i dyshuar është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë nën dyshimet se ka kryer dy vepra penale kundër “ Integritetit Seksual” ndaj një viktime në këtë rast ndaj një të miture. Në këtë rast prokurori i shteti ka kërkuar paraburgim dhe seanca është mbajt sot dhe prokurori ka kërkuar që të aprovohet kërkesa”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Nikçi tregoi për masat mbrojtëse që janë marrë ndaj të miturës.
“viktima ka marr tretmanin e duhur nga disa institucione relevante dhe e njejta gjendet nën përkujdesje të institucioneve përgjegjëse”, ka theksuar ai.
Për këtë rast është intervistuar edhe nëna e vajzës ndërkohë që shtëpia e të dyshuarit është bastisur nga Policia ku janë sekuestruar prova materiale, një laptop dhe dy telefon mobil.
Ndërkohë, nga Qendra për Punë Sociale në Pejë nuk ishin të qasshëm për televizionin./TVDUKAGJINI
Burimi: Dukagjini
