Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se Raporti 2026 i Komisionit Evropian nuk evidenton kthim prapa në asnjë fushë sa i përket përgatitjes së Kosovës për integrim evropian.
Në konferencë për media, pas pranimit të raportit nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, Kurti tha se në asnjë fushë nuk ka rënie të nivelit të përgatitjes dhe se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar regres.
“Raporti i Komisionit, të nderuar gazetarë, e vlerëson secilën fushë në dy mënyra. E para është niveli i përgatitjes, pra sa afër standardeve të Bashkimit Evropian janë ligjet dhe institucionet tona. E dyta është progresi gjatë periudhës njëvjeçare, pra sa kemi ecur në këta 12 muajt e fundit. Në raportin e këtij viti niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund”.
Ai shpjegoi se raporti i vlerëson zhvillimet në dy aspekte, nivelin e përgatitjes, përkatësisht përafrimin e ligjeve dhe institucioneve të Kosovës me standardet e BE-së, si dhe progresin e arritur gjatë periudhës njëvjeçare.
Kurti theksoi se progres më i mirë se në raportin e vitit të kaluar është vlerësuar në reformat në administratën publike, drejtësi, liri dhe siguri, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistika, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes.
Ndërkaq, sipas tij, është ngritur edhe niveli i përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar.
Kurti përsëriti gjithashtu kërkesën që Kosovës t’i dorëzohet sa më parë pyetësori për aplikimin për anëtarësim në BE, duke thënë se vendi meriton statusin e kandidatit dhe nisjen e negociatave për anëtarësim.
Burimi: Dukagjini
