
Papa Leo XIV ka pritur të mërkurën në rezidencën e tij zyrtare në Pallatin Apostolik, këngëtarin legjendar amerikan Bob Dylan, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Romë, në kuadër të turneut të tij në Itali.
Takimi mes dy personaliteteve amerikane ishte i shkurtër. Papa i dhuroi Dylanit një rruzare, ndërsa këngëtari ia dhuroi Papës një kopje të autobiografisë së tij, Chronicles: Volume One.
Dylan, 85 vjeç, u paraqit i veshur pothuajse tërësisht në të zeza, me kapuç dhe doreza, në kontrast me veshjen e bardhë të Papës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Interesant është fakti se Papa Leo XIV e kishte përmendur më herët Dylanin në parathënien e librit të tij Disarmed and Disarming: Peace Is a Gift, duke cituar një këngë të pabotuar të artistit kundër armëve bërthamore.
Dylan pritet të performojë në Romë të enjten, në kuadër të turneut Rough and Rowdy Ways.
Ky nuk është takimi i parë i këngëtarit me një Papë. Në vitin 1997, ai kishte performuar para Papa Gjon Palit II dhe rreth 300 mijë të rinjve në Bolonjë, ku interpretuesi amerikan kishte kënduar edhe hitin e njohur Knockin’ on Heaven’s Door.
