Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, lidhur me çmimin e një shiriti nëntokësor, duke thënë se vlera prej 8.50 eurosh për metër përfshin jo vetëm furnizimin me material, por edhe një sërë shërbimesh të tjera.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka akuzuar Kërçelin se po e paraqet çmimin e një shërbimi si çmim të vetëm të shiritit, duke e cilësuar këtë si përpjekje për ta mashtruar opinionin publik.
Sipas Ramës, çmimi prej 8.50 eurosh për metër, me TVSH, përfshin furnizimin me material, transportin, angazhimin dhe punën e punonjësve, si dhe shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës.
Ai ka thënë se në këtë çmim përfshihen edhe garancia dhe mirëmbajtja për 10 vjet, pa kosto shtesë, sipas kushteve të kontratës.
“Krejt këto shërbime me i paraqitë vetëm si çmim të një ‘shiriti’ është veprim i ulët”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka pretenduar se procedura është trajtuar nga disa institucione dhe mekanizma mbikëqyrës, përfshirë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), auditorët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe organet e hetuesisë.
Rama ka sqaruar edhe funksionin e shiritit nëntokësor, duke thënë se ai nuk shërben për kufizimin e zonës së punimeve, por për paralajmërimin e pranisë së kabllove elektrike.
“Është shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, për të shmangur dëmtimin e tyre dhe mos me i rreziku punëtorët gjatë gërmimeve në të ardhmen nga ujësjellësi, KEDS-i, Termokosi ose cilado kompani apo ndërmarrje tjetër”, ka deklaruar Rama.
Në fund të reagimit, ai ka paralajmëruar ndjekje të rrugës ligjore ndaj, siç i ka quajtur, shpifjeve që mund të bëhen ndaj tij.
“Ili, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/