Kurti: Deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë

Kurti: Deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deficiti tregtar vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë së vendit, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar mallra në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar rreth një miliard euro.

Këto komente Kurti i bëri në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se, pavarësisht rritjes së eksporteve gjatë vitit 2026, hendeku tregtar vazhdon të jetë i madh.

“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportoi rreth një miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se zhvillimi i parqeve eko-industriale është në përputhje me orientimin strategjik të Qeverisë për një ekonomi qarkore dhe konkurruese.

“Shtylla e parë e programit tonë qeverisës i kushtohet ekonomisë qarkore dhe konkurruese. Prandaj, nisma e projektit për zhvillimin e parqeve eko-industriale është në linjë të plotë me orientimin tonë strategjik dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të zhvillohet industria dhe ekonomia e Republikës sonë në vitet në vijim”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe rritjen ekonomike të viteve të fundit, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë krijuar mbi 85 mijë vende të reja pune, ndërsa eksportet e shërbimeve janë gati trefishuar.

“Gjatë viteve të fundit, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të ndjeshme. Bruto Produkti Vendor është rritur përafërsisht mesatarisht me nga një miliard euro në vit, ndërkohë që më herët nevojiteshin tri vjet për një rritje të tillë. Në të njëjtën periudhë, gjatë këtyre pesë viteve të fundit, mbi 85 mijë vende të reja të punës janë krijuar. Eksportet e shërbimeve gati janë trefishuar, ndërkaq investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë vlerën prej një miliard eurosh.

E ne duam që sa më shumë mallra që sot i blejmë nga jashtë të prodhohen në Kosovë. Prandaj, parqet industriale i shohim si një nga mekanizmat që mund të ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Ato u ofrojnë bizneseve vendore hapësirën dhe infrastrukturën e nevojshme për t’i zgjeruar kapacitetet prodhuese, ndërsa krijojnë kushte më tërheqëse për investitorët e huaj që dëshirojnë të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre prodhuese në vendin tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se investimet në parqet industriale synojnë të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji dhe njohuri, duke vlerësuar se diaspora mund të luajë rol të rëndësishëm në këtë proces.

“Për ne është e rëndësishme që investimet e tilla të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji, njohuri dhe mundësi për bashkëpunim me furnizuesit vendorë. Në tërheqjen e këtyre investimeve, diaspora jonë ka një rol të veçantë. Në Gjermani, Zvicër, Francë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, kemi shumë ndërmarrës me origjinë nga Kosova që kanë ndërtuar biznese të suksesshme dhe që mund të bëhen urë lidhëse mes ekonomisë sonë dhe tregjeve ndërkombëtare. Ata mund të sjellin në Kosovë jo vetëm kapitalin dhe përvojën e tyre, por edhe partnerët e tyre të biznesit dhe rrjetet e bashkëpunimit.

Kosova ka disa përparësi për investime të tilla. Pozita e saj gjeografike, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, fuqia punëtore e kualifikuar dhe politika fiskale konkurruese krijojnë kushte të mira për zhvillimin e veprimtarisë prodhuese. Me rritjen e prodhimit vendor, mund të zëvendësojmë një pjesë të mallrave që sot i importojmë dhe të rrisim eksportin e produkteve tona ‘Made in Kosova’”, ka deklaruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se në bashkëpunim me sektorin privat dhe prodhuesit vendorë është hartuar edhe Plani Një Miliard Euro për Prodhim dhe Industri.

“Në këtë frymë, në dialog të vazhdueshëm me sektorin privat dhe prodhuesit vendorë, kemi hartuar edhe Planin Një Miliard Euro për Prodhim dhe Industri. Ky plan, i hartuar në dialog me bizneset dhe bazuar në nevojat e tyre, synon të lehtësojë financimin e investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike. Së bashku me zhvillimin e parqeve eko-industriale, plani pritet të krijojë kushte më të mira për investime, rritje të prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Përveç krijimit të kushteve për investime dhe zgjerim të prodhimit, rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si zhvillohet ky prodhim. Në këtë drejtim, parqet eko-industriale krijojnë mundësi për një industri më moderne dhe efikase, me shfrytëzim më të mirë të burimeve dhe ndikim më të vogël në mjedis. Ato plotësojnë përpjekjet tona për të rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për t’i përgatitur bizneset për kërkesat gjithnjë e më të larta të tregut evropian.

Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës, pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve që jetojnë atje”, ka thënë Kurti.

Burimi: Dukagjini