
Një muaj paraburgim i është caktuar Herion Ymerit, i dyshuar për sulmin fizik ndaj gjyqtares Qëndresa Sejdiu, gjatë një veprimi zyrtar në terren në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë. Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, pas incidentit që ndodhi më 4 nëntor, kur një kontest pronësor dyshohet se eskaloi në sulm ndaj gjyqtares që po zhvillonte procedurën.
Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për rastin, duke zbuluar identitetin e të dyshuarit, Herion Ymerin, rreth 40-vjeçar, si dhe detajet e incidentit, ku ai dyshohet se e kapi gjyqtaren për krahu, ia shtrëngoi dhe e shtyu disa herë, duke këmbëngulur se prona për të cilën po zhvillohej procedura ishte e tij.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ngjarja ndodhi gjatë realizimit të ekzaminimit të terrenit në kuadër të një lënde civile. Gjyqtarja Qëndresa Sejdiu po ndërmerrte veprime procedurale për shqyrtimin dhe konstatimin e rrethanave faktike që lidhen me çështjen pronësore.
Në aktakuzën e dyshuar të përshkruar në dosje, thuhet se Ymeri, i pranishëm në vendin e ngjarjes, ndërhyri me dashje dhe në mënyrë agresive në zhvillimin e veprimit zyrtar të gjykatës, duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik, si dhe autoritetin e funksionit gjyqësor.
“…veprim procedural që ndërmerrej nga gjyqtarja e rastit, me qëllim të shqyrtimit dhe konstatimit të rrethanave faktike relevante për çështjen civile, i pandehuri H. Y. i pranishëm në vendin e ngjarjes, me dashje, vetëdije dhe në mënyrë agresive, ndërhyn në zhvillimin e veprimit zyrtar të gjykatës, duke ndërmarr veprime të drejtpërdrejta kundër gjyqtares dhe duke cenuar integritetin e saj fizik, si dhe autoritetin dhe ushtrimin e pavarur të funksionit gjyqësor.”
Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Ymerit i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Ndryshe, pas incidentit, gjyqtarja kishte marrë trajtim mjekësor dhe kishte siguruar raport mjekësor lidhur me gjendjen e saj. Rasti kishte përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe arrestimin e të dyshuarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali