Ish-anëtari i grupit Sex Pistols flet turneun me “shije të keqe” të grupit të tij të vjetër dhe përballimin e vdekjes së gruas së tij …
Nga: Chris Harvey / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
John Lydon hap një birrë dhe e derdh në një gotë me mbishkrimin “Arsenal”. Është ora e drekës dhe ai po pushon në shtëpinë e tij në Londër pas një serie koncertesh në Amerikën e Veriut – në kuadër të turneut This Is Not the Last Tour [Ky nuk është turneu i fundit] të [grupit] Public Image Ltd – gjë që, siç e pranon, do të thotë të përballet me një problem të vjetër: “Kthehem nga turneu dhe i gjuhem uiskit dhe çokollatës”.
Sot nuk po ha Dairy Milk, por birrën e shoqëron me ndonjë gllënjkë të herëpashershme nga një pije e fortë, ndërkohë që flasim për librin e tij të ri me mendime dhe vepra të mbledhura artistike, Archive [Arkivi]. Ka një javë pushim para se të nisë një turne bisedash në Mbretërinë e Bashkuar; në mes të intervistës, e ndërpret bisedën për t’ia hapur derën një infermiereje që ka ardhur për t’ia dhënë vitaminat në venë – një tjetër ritual pas turneut që i jep fuqi kur është i rraskapitur.
Në anën tjetër të Atlantikut, tre anëtarët e tjerë fillestarë të grupit Sex Pistols – Steve Jones, Paul Cook dhe Glen Matlock – janë në mes të një turneu për 50-vjetorin, me këngëtarin zëvendësues Frank Carter. “Mendoj se është me një shije lodhshëm të keqe”, thotë Lydoni. “Por, në fund të fundit, nuk më intereson … Ka disa grupe të mirëfillta karaoke që luajnë Sex Pistols-at dhe këta po i lënë pa punë”.
Lexo po ashtu:
– Nga Sex Pistols te balada për Eurovizionin
– E di ç’do të thotë të jesh i tmerruar
Në prag të famës, Sex Pistols më 1976 (nga e majta në të djathtë): Lydon, Paul Cook, Sid Vicious dhe Steve Jones(Getty Images/Mirrorpix/John Mead)
Zëri i tij është në një regjistër më të ulët se dikur dhe më pak i sforcuar, por thumbimi ka atë dinakërinë e pagabueshme të Johnny Rottenit: yllit të vetëm inkandeshent të pankut. Londinezi me prejardhje irlandeze jo vetëm që ishte figura më e spikatur pamore e tij, por ishte gjithashtu, në mënyrë të papritur, mendjemprehtë, elokuent dhe jashtëzakonisht i citueshëm. “Po cilët këngëtarë të pëlqejnë atëherë”? – e pyeti Janet Street Porter në vitin 1976. “Asnjëri”, u përgjigj ai i habitur. “Nuk kam heronj”. Megjithatë, kishte dhunti për ta copëtuar dhe thyer gjuhën për qëllimet e veta poetike. Rima e sforcuar në këngën e parë të grupit të vitit 1976, Anarchy in the UK, “I am an Antichrist / I am an anarchist” [Jam Antikrisht / Jam anarkist], është një nga dyvargëshat më të famshëm të rokënrolit.
Kur Pistols-at u shpërbënë gjatë një turneu në Shtetet e Bashkuara në vitin 1978, Lydoni e la pas Johnny Rottenin, iu kthye emrit të tij të lindjes dhe nisi nga e para me PiL-in – të cilët e thyen ortodoksinë e rokut me një tingull eksperimental që i hapi rrugën post-pankut. Në dokumentarin e vitit 2018, The Public Image is Rotten [Imazhi publik është kalbur/Roten], Thurston Moore i [grupit] Sonic Youth e përshkruan [albumin] Metal Box (1979) të PiL-it si “White Album [album i grupit Beatles] i skenës andergraund”. Më vonë, në stilin e tij të vërtetë kundërshtues, Lydoni e përqafoi me sarkazëm popin me hitin e vitit 1983 që hyri në pesëshen e parë, This Is Not a Love Song (“Big business is very wise / I’m crossing over into enterprise” – “Biznesi i madh është shumë i zgjuar / Po kaloj në sipërmarrje”).
Lydon rreth vitit 1978, afërsisht në kohën kur u largua nga Sex Pistols dhe formoi Public Image Ltd(Getty Images/Hulton Archive/Anwar Hussein)
Nga mesi i viteve 2000, u fliste hardhucave në serinë e tretë të I’m a Celebrity … Get Me Out of Here! – Lydoni u largua në ditën e 11-të. Me siguri do të argëtohej më shumë në The Celebrity Traitors? “Më ftuan, por nuk do të merrja pjesë kurrë, sepse duhet të gënjesh”, thotë ai. Në të vërtetë, që nga intervistat e tij më të hershme, Lydoni ka pohuar se suksesi i tij erdhi “duke qenë i sinqertë”. Mendoj se po përpiqesh t’i tronditësh njerëzit, e ngacmoi një intervistues. “S’ma ndien hiç çka mendon ti”, u përgjigj Rotteni. “S’provoj t’i bëj përshtypje askujt, pos vetes”.
Lydon në “I’m a Celebrity …” në vitin 2004(Rex Features)
Lydoni mbushi 70 vjet këtë vit dhe periudha e tij e re e aktivitetit intensiv ndoshta mund t’u atribuohet sprovave që paraprinë. Në vitin 2018 bëri të ditur se gruaja e tij prej katër dekadash, trashëgimtarja gjermane e botimeve, Nora Forster, kishte diagnozë zyrtare të Alzheimerit dhe se ai kishte marrë përsipër rolin e kujdestarit të saj kryesor në shtëpinë e tyre në Kaliforni.
Ajo vdiq në vitin 2023, në moshën 80-vjeçare. Në Archive, Lydoni bën pohimin befasues se i mungon kujdesi për Noran – pothuajse më shumë se 45 vjetët që kishin kaluar më parë së bashku. “Është intensiteti i kësaj”, më thotë. “Kur të gjithë janë mirë, gjithçka e merr si të mirëqenë. Pastaj papritmas nuk e bën më. Çdo ditë ndryshon krejtësisht. Me Alzheimerin, ata kalojnë nëpër faza, nga hiperaktiviteti te dëshpërimi, deri te ‘Kush je ti? Ku jam?’, dhe nuk e di se çfarë e shkakton, pastaj bam, problemi tjetër: nuk mund të ecën, duhet t’ia mësosh përsëri si t’i përdorë këmbët, të merresh me karrige me rrota, mjete për ecje dhe mungesën e vetëpërmbajtjes dhe me të gjitha. Por”, deklaron ai, “ne e bëmë në mënyrë zbavitëse”.
Lydon dhe gruaja e tij, Nora Forster, e cila vdiq në vitin 2023 (fotografuar në vitin 2011)(Getty Images/Dave M Benett)
“Nëna ime shpesh ishte e sëmurë kur isha shumë i vogël”, thekson ai. (Ajo vdiq nga kanceri kur këngëtari ishte në fillim të të njëzetave.) “Kishte shumë, shumë probleme fizike dhe disa aborte spontane, prandaj u rrita si më i madhi, duke u kujdesur për të dhe duke u siguruar që vëllezërit [tre më të vegjël] ta merrnin qullin e tyre në mëngjes. Gjëra bazike, të thjeshta. Por, mendoj se kam lindur me këtë. Është në natyrën time ta bëj këtë. Dhe, më pëlqen të kujdesem për njerëzit”.
Në libër ai tregon se si, një herë kur ishte fëmijë, iu desh ta ndihmonte nënën e tij të dërrmuar të hidhte në tualetin e jashtëm – të cilin e ndanin me familje të tjera në Veri të Londrës – një fetus të abortuar. “Po e përballoj mirë tani sepse jemi në mes të ditës, por kjo do të më zërë në mes të natës”, më thotë, “dhe, seriozisht, dridhjet dhe tmerret, e dini” …
Çastet e fundit të Forsterit ishin traumatike. “Ajo gjithmonë kthehej dhe thoshte: ‘Johnsies’. Ky ishte emri që përdorte për mua, prandaj në të vërtetë nuk më harroi kurrë plotësisht, deri në minutat e fundit agonizues dhe të tmerrshëm” … Fytyra dhe trupi i tij tkurren nga kujtimi. “Ajo dhimbje … njerëzit që kalojnë nëpër këtë do ta dinë çfarë po them. I sheh teksa përdridhen nga agonia dhe nuk mund të bësh asgjë”.
Pasi e ka parë partneren e tij të dashur të vdesë nga demenca, a ka frikë se mund t’i ndodhë edhe atij? “Në atë kohë po. Ke tmerr se mos edhe vetë po rrëshqet drejt asaj gjendjeje, sepse vazhdimisht të kujtohet se ajo po harron gjëra dhe fillon të shqetësohesh: mos vallë po shkon edhe ti në atë drejtim? Për shkak të presionit. Ka aq shumë gjëra për të cilat duhet të kujdesesh gjithë ditën dhe gjithë natën. Fle me njërin sy hapur dhe gjërat të dalin nga mendja. A e harrova këtë? A e harrova atë”? Por, thotë ai, “tani e di se nuk po më ndodh”.
Për njëfarë kohe, ai pinte nga tri shishe konjak në ditë për ta përballuar humbjen: “Nuk kishte asnjë efekt. Thjesht nuk e largon dhimbjen … Dhe, jam ai lloj njeriu që nuk beson te keqardhja për veten”.
John Lydon(Lou Boileau)
A vuan nga vetmia? “Jo, mendoja se do të vuaja. Vërtet e mendoja, por jo, nuk ndihem i vetëm. Dhe, në një mënyrë vërtet të çuditshme, është lehtësim. Presioni dhe tensioni ishin dërrmues. E shihni, me Alzheimerin ka në të vërtetë dy viktima. Është pacienti dhe pastaj është i shëruari që duhet të kujdeset për të gjitha. Është një shterim emocional që është e pamundur të përshkruhet. Natyrisht, trishtimi kthehet natën, por përballesh me të, sepse ka njerëz atje jashtë që po kalojnë gjëra shumë më të këqija”.
Në Archive është shënuar të ketë thënë: “Nuk mendoj se do të dashuroj më, jo pas Noras”. Tani thotë: “Mendoj se ajo ishte britmë dëshpërimi. S’e di, por nuk po e prish terezinë duke kërkuar dashuri në vendet e gabuara – edhe pse ka njerëz të ndyrë që vazhdojnë të më përplasin vithet e tyre”. Shfryn. Pra, a i vardisen? “Po, dhe është paksa tmerruese. Vërtet është, sepse janë gra që qajnë për mua dhe duan të më bëhen si nëna. Kjo nuk është ajo që dua”.
Lydoni dhe Nora nuk u bënë kurrë prindër së bashku, por u kujdesën për tre nipërit e mbesat e tyre – fëmijët e vajzës së Noras, Ariannas, e njohur si Ari Up e grupit të pankut britanik me gra, Slits, e cila vdiq në vitin 2010. Për vendimin e tyre që të mos kishin fëmijë të përbashkët, ai thotë: “Unë nuk isha i aftë të isha baba i mirëfilltë. [Nora] kaloi dhimbjen e një aborti, i cili lë njollë në shpirtin tënd, në shpirtrat e të dyve. Thjesht, duhet ta pranosh këtë. Mos sill një qenie tjetër njerëzore në një mënyrë jetese, që tashmë është kaotike, dhe të presësh që gjithçka të përfundojë për të mirën e fëmijës”.
Në libër ai zbulon se kur Nora ishte foshnjë, ajo dhe nëna e saj hebreje – të cilën ai e quan Mutti – u mbrojtën nga nazistët nga babai i Noras, Franz Maier, avokat (dhe ushtar i Vermahtit gjatë luftës), i cili pas luftës ndoqi penalisht nazistët dhe më vonë u bë redaktor dhe botues i gazetës së përditshme berlineze, Der Tagesspiegel. “Di veç copëza [nga historia], por në thelb [Maier] e çoi Muttin në Shtutgart, ku në atë kohë ishte një komunitet shumë i vogël, me karakter fshati, dhe njerëzit nuk ishin fort të prirur për thashetheme … mjaft njerëz u shpëtuan në atë mënyrë”.
Lydoni nuk e takoi kurrë Maierin i cili vdiq në vitin 1984 dhe i cili, sipas raportimeve, ishte tmerruar nga zgjedhja e partnerit që kishte bërë e bija. “Po, por ai e kishte gabim”, thotë Lydoni. “Ai mendonte se unë isha Sidi dhe kështu detektivi ndoqi personin e gabuar”.
Sid Vicious (majtas, emri i vërtetë John Beverly) ishte mik i Lydonit(VCG via Getty Images/Corbis/Lynn Goldsmith)
Natyrisht, Sidi ishte miku i Lydonit nga adoleshenca – John Beverley, i njohur si Sid Vicious. Sipas legjendës, ai ishte “Johni” të cilin Vivienne Westwood kishte pasur në mendje kur i tha partnerit të saj Malcolm McLaren se kishte parë dikë që sillej rreth dyqanit të tyre në “King’s Road” dhe që do të ishte këngëtar i mirë për Sex Pistols, grup i cili veçse po formohej. Në vitin 1977, Vicious zëvendësoi basistin origjinal të grupit – dhe kompozitorin më të talentuar të këngëve të tij – Glen Matlock, duke i vënë Pistols-at në rrugën drejt namit gjithnjë e më të keq. Pasi grupi u shpërbë në vitin 1978, Vicious u akuzua për vrasjen e të dashurës së tij amerikane, Nancy Spungen, në hotelin “Chelsea” të Nju-Jorkut. Ai vdiq nga mbidoza në vitin 1979, pasi ishte liruar me kusht nga burgu.
Çfarë mendon Lydoni se do të bënte Sidi sot po të ishte ende gjallë? “Nuk do të ishte”, thotë ai me trishtim. “Jo, nuk do të ishte në gjendje ta përballonte. Jo, jo, jo. Nëna e tij e vuri në rrugën e rrënimit. Ajo ishte e regjistruar si e varur nga heroina. Bah! Çfarë ndikimi. Ai gjithmonë do të kërkonte një rrugëdalje. Gjithmonë, i shkreti. Ishte shoku im dhe e doja shumë”.
Teksa të tjerët – përfshirë nënën e ndjerë të Viciousit, Anne Beverley, si dhe Malcolm McLarenin i cili vdiq në vitin 2010 – kanë shprehur bindjen e tyre se Viciousi nuk e vrau Spungenin, Lydoni thotë se nuk spekulon, sepse ka tepër shumë gjëra që nuk mund të përcaktohen. “Është sikur, edhe po ta kishte bërë, ai nuk do ta dinte se e kishte bërë … Gjendjet në të cilat e fuste veten. Vazhdimisht përpiqej të ikte nga mangësitë e veta. Kjo është rruga e heroinës, apo jo”?
Shumë njerëz kanë fajësuar ish-kitaristin e New York Dolls, Johnny Thunders, dhe grupin e tij Heartbreakers se e sollën heroinën nga ShBA-ja në skenën e pankut britanik. A mendon Lydoni se ata e shkatërruan atë? “Nuk ndihmoi. Edhe Nancy. I gjithë grupi Heartbreakers kur erdhi për herë të parë në Londër, sillej i dëshpëruar sepse nuk kishte heroinë, dhe i shkreti Sid ishte aq i impresionuar nga kjo”. Ai filloi ta imitojë mikun e vet: “‘Oh, po, është fantastike të dalësh çdo natë, të marrësh drogë, uh, dhe të jesh i shfrenuar e dekadent’. ‘Vë bast se nuk është kështu, Sid …’, siç e zbuloi kur shkoi për herë të parë në Nju-Jork – buburreca, pisllëk, ndyrësi, dyshekë me shurrë, e dini, të gjitha ato, shpërndarës droge, mashtrues në cepat e rrugëve – gjithë ajo zymtësi e pistë. Ai e kishte parë magjepsjen e Lou Reedit, Walk on the Wild Side, dhe uau, çfarë rënieje”!
“Jam i tmerruar nga njerëzit që janë të varur nga substancat”, shton ai. “Nuk mund ta pranoj këtë”.
Lydon duke performuar në Teksas në nëntor 2012(WireImage/Rick Kern)
Lydoni pranon se pasi ai dhe Nora u shpërngulën në ShBA në fillim të viteve 1980, në një kohë kur industria e argëtimit e vendit ishte e mbushur me kokainë, ai e përdorte shpesh drogën. “Oh po, më iku shtresa e brendshme [e hundës]. Të gjithëve u ndodhi. Më kujtohet kur filloi për herë të parë; kur merrja frymë, fishkëlleja gjithë kohën, sepse ishte një vrimë e vogël dhe tingëllonte si një solo flauti që kishte shkuar keq. Pastaj, më në fund thjesht gërryhet dhe tani është shumë më e hapur. Çuditërisht, ka edhe një përmirësim të zërit; rezonon më mirë”.
Lydoni nuk mbetet kurrë pa një mendim: “Më pëlqejnë incizimet e Gary Glitterit dhe incizimet e Michael Jacksonit”, thotë ai. “Ende mund t’i dëgjoj dhe të them: ‘Mjeshtërore’. Duhet të mësosh ta ndash artin nga artisti. Përndryshe, përfundon si një idiot që gjykon të tjerët”.
Ai mendon se brezi i ri nuk mendon më në mënyrë të pavarur. “Është brezi i picës së çastit. Po pinë birrë pa alkool, për hir të Zotit – kjo është kriminale, dhe çaj pa teinë”.
Për presidentin e ShBA-së, ai shkruan në Archive: “A mendoj se Trumpi është njeri i keq? Ndoshta është. E kam takuar një herë dhe nuk më pëlqeu”. Por, tani thotë: “Politikës herë pas here i duhet një top shkatërrues si Trumpi, që t’i kalojë drejt e përmes, për shkak të vetëkënaqësisë dhe ndjenjës së privilegjit me të cilat këta politikanë stolisin veten”.
Po për Andy Burnhamin, kryeministrin tonë të ri [britanik]? “Bëjeni të bjerë bashkë me Man City-n”, bën shaka. “Tashmë po bën kthesa, apo jo? Kthehuni te Thatcheri: ‘Kjo zonjë nuk është për t’u kthyer’. Hahaha, të gjithë kthehen. Në gjuhën e hidraulikëve, janë një tufë tubash në formë U-je”. Po Nigel Farage? “Ka pak pompozitet dhe vetëkënaqësi, por duhet ta pranosh se fjalimet e tij evropiane ishin të mrekullueshme. Ishin të çmendura, çuditërisht qesharake. Pra, aty është arti, ose artifici, por si njeri i vërtetë – nuk mendoj se ai pëlqen shumë ndonjërin prej nesh”.
Edhe ai është përplasur me mbështetësit pro-Palestinës: pati thirrje për bojkotimin e turneut të tij të bisedave në Irlandë pasi e mbrojti Izraelin dhe, në një intervistë, e quajti Hamasin “shfarosës të hebrenjve”. “Në të vërtetë, nuk kam bërë shumë komente politike për gjithë atë situatë”, thotë ai. “Nuk e krijova unë dhe nuk mund ta zgjidh”. Megjithatë, e përfytyron Ed Sheeranin maje gardhi për këtë çështje: “Kjo nuk do t’u bëjë aspak mirë hemorroideve të tij”.
A është ndier ndonjëherë Lydoni i bllokuar brenda personazhit që krijoi për veten? “Jo, jo, jo, kurrë. Jam tepër hiperaktiv për këtë dhe vazhdimisht e bezdis veten, mendoj dhe ec përpara, shpresoj”. Ai është unik, ai soj ylli i popit të cilin inteligjenca artificiale nuk do të mendonte kurrë ta krijonte. As teknologjinë nuk e ka për zemër. “Mendoj se gjithçka është tek emri, ai e zbulon vetë – inteligjencë ‘artificiale’. Për çfarë dreqin na duhet diçka artificiale në jetën tonë”? John Lydoni, mund të thuhet, ka qenë gjithmonë gjëja e vërtetë. /Telegrafi/