Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje konkrete lidhur me raportimet për mungesë të uniformave dhe pajisjeve për zyrtarët e Policisë së Kosovës.
I pyetur për këtë çështje, Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme është institucioni përgjegjës për të dhënë informacione lidhur me procesin e furnizimit me pajisje dhe uniforma për Policinë.
Ai ka theksuar se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe se, sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për institucionet e sigurisë.
“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua japë përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, ka thënë Kurti.
Raportimet për mungesë të uniformave dhe pajisjeve kishin ngritur pikëpyetje edhe lidhur me shtyrjen e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.
Ceremonia e diplomimit të kësaj gjenerate do të mbahet sot, nga ora 16:30, ndërsa mbi 300 zyrtarë të rinj pritet t’i bashkohen Policisë së Kosovës.
Burimi: Dukagjini
