Arda Kurtulan ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë Turqinë, duke i dhënë fund mundësisë për të luajtur me Kombëtaren A të Shqipërisë.
Mbrojtësi 23-vjeçar, i cili më parë ishte pjesë e Shqipërisë U21, tashmë pret që të kompletojë dokumentacionin e nevojshëm për t’u vënë në dispozicion të përfaqësueses turke.
Vendimi i tij vjen në një moment kur Kurtulan po kalon një periudhë të mirë te Goztepe, ku është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës në kampionatin turk.
Ai shihej si një alternativë e vlefshme për krahun e djathtë të mbrojtjes së Shqipërisë, por tashmë kjo mundësi duket se është mbyllur.
Kurtulan ka zhvilluar 12 ndeshje me Shqipërinë U21 dhe ka shënuar dy gola, ndërsa paraqitjen e fundit me ‘Kuqezinjtë’ e kishte rreth dy vjet më parë.
Mungesa e ftesave nga Kombëtarja A në periudhën e kaluar dhe pritja për një mundësi të re duket se kanë ndikuar në vendimin e tij për ta zgjedhur Turqinë.
Megjithatë, ai nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjet e nëntorit, pasi dokumentacioni i nevojshëm nuk është përfunduar në kohë. Kështu, pavarësisht vendimit për ta përfaqësuar Turqinë, Kurtulan duhet të presë edhe pak për mundësinë e parë për t’u bashkuar me ekipin kombëtar.
Për Shqipërinë, ky është një tjetër rast kur një futbollist që ka veshur fanellën e grupmoshave kuqezi vendos të përfaqësojë një shtet tjetër, ndërsa largimi i Kurtulanit është veçanërisht i ndjeshëm për shkak të pozitës që mbulon dhe paraqitjeve të tij në kampionatin turk./Telegrafi/