Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.
Rasti ka ndodhur më 6 nëntor 2026, rreth orës 21:20, në rrugën “Afrim Zhitia”.
Sipas njoftimit policor, gjatë kontrollit të pesë të dyshuarve, në dy vetura dhe në një banesë që ata e kishin në shfrytëzim, janë gjetur dhe sekuestruar 52.93 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe 517.5 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Po ashtu, policia ka sekuestruar një peshore për matjen e narkotikëve, dy paketime me folje që dyshohet se shërbenin për paketimin e substancave narkotike, 440 euro para të gatshme që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve, si dhe tre telefona celularë.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, katër nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar dhe rasti ndaj tij do të vazhdojë në procedurë të rregullt. /Telegrafi/