
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, i është drejtuar me një e-mail senatorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të Fakultetit Juridik, duke ngritur pretendime për parregullsi të rënda akademike lidhur me doktoraturat e dekanit të këtij fakulteti, Avni Puka.
Hasani pretendon se Puka ka përdorur në Universitetin “La Sapienza” të Romës të njëjtën tezë të doktoratës që e kishte mbrojtur më parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, me qëllim të fitimit të dy titujve të veçantë akademikë.
Hasani thotë se ka shqyrtuar personalisht, faqe për faqe, të dy disertacionet dhe se, sipas krahasimit të tij, nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por për të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht.
“Pas një shqyrtimi të hollësishëm, të kryer personalisht, faqe për faqe, kam konstatuar se nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por, në thelb, për të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht dhe të përdorur për fitimin e dy titujve të veçantë akademikë”, ka shkruar Hasani.
Ai e cilëson rastin si “një ndër skandalet më të rënda akademike” që kanë përfshirë Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare thekson se pretendimet e tij nuk kanë të bëjnë thjesht me ripërdorimin e pjesëve të një punimi shkencor, por me përdorimin e pretenduar të së njëjtës tezë për marrjen e dy titujve të doktorit të shkencave.
Hasani ka bërë dallimin mes kësaj situate dhe programeve të ligjshme të bashkëpunimit ndëruniversitar, si doktoraturat e përbashkëta dhe ato me bashkëmentorim, të cilat, sipas tij, zhvillohen mbi bazën e marrëveshjeve dhe procedurave të përcaktuara paraprakisht.
Ai pretendon gjithashtu se Universiteti i Prishtinës ka rregullativa që ndalojnë mbrojtjen e njëkohshme ose të njëpasnjëshme të së njëjtës doktoraturë në një institucion tjetër.
Në e-mail, Hasani ka ngritur edhe çështjen e CV-së së Pukës, duke pretenduar se dekani e kishte fshirë nga ajo të dhënën për doktoratën në Universitetin “La Sapienza”, një ditë pasi ai kishte denoncuar publikisht dyshimet për doktoraturën e tij.
“Që nga dita e nesërme pasi unë kam denoncuar se ai ka bërë fals doktoraturën, ka fshirë nga CV-ja e tij të dhënën që ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit ‘La Sapienza’”, ka shkruar Hasani.
Ai pretendon se Puka deri më sot nuk e ka bërë nostrifikimin e diplomës nga universiteti italian, duke shtuar se kjo, sipas vlerësimit të tij, lidhet me pasojat e mundshme ligjore dhe akademike të rastit.
Hasani u ka bërë thirrje senatorëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe stafit të Fakultetit Juridik që t’i shqyrtojnë personalisht të dy disertacionet, të cilat thotë se ua ka bashkëngjitur e-mailit, në mënyrë që të vlerësojnë bazueshmërinë e pretendimeve të tij.
Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje u është drejtuar edhe institucioneve kompetente në Itali, përfshirë Universitetin “La Sapienza” dhe Ministrinë italiane të Universiteteve dhe Kërkimit, duke kërkuar sqarime për ligjshmërinë e procedurave dhe kompetencat për shqyrtimin e parregullsive të mundshme.
Ndërkaq, profesori ka përmendur edhe një kërkesë që, sipas informacioneve të tij, Prokuroria e Kosovës ua ka drejtuar autoriteteve italiane disa muaj më parë, duke thënë se mbetet të shihet se çfarë informacionesh dhe dokumentesh do të sigurohen prej tyre.
Në përfundim të e-mailit, Hasani ka theksuar se integriteti akademik është interes publik dhe përgjegjësi institucionale, duke kritikuar heshtjen përballë dyshimeve që, sipas tij, mbështeten në dokumente të verifikueshme.
Puka i kishte cilësuar shpifje, thashetheme e fyerje deklaratat e Hasanit, duke mohuar pretendimet për plagjiaturë dhe mashtrim në lidhje me doktoraturën në Romë.
Ai kishte thënë se akuza e Hasanit përbënte “shpifje të rëndë, përhapje të thashethemeve e gënjeshtrave në publik”, me qëllim që, sipas tij, t’i dëmtohej imazhi, reputacioni dhe autoriteti personal e profesional.
Letra e plotë e Enver Hasanit, dërguar senatorëve të UP-së, Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të Fakultetit Juridik:
Të nderuar kolegë,
Shpresoj të jeni mirë me shëndet, ju dhe familjet tuaja.
Dëshiroj të ndaj me ju një rast jashtëzakonisht shqetësues, të cilin, për nga natyra dhe përmasat e tij, e konsideroj një ndër skandalet më të rënda akademike që kanë përfshirë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe, fatkeqësisht, edhe Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Bashkëngjitur këtij komunikimi po ju përcjell dy disertacione doktorature: njërin, të mbrojtur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe tjetrin, të paraqitur dhe të mbrojtur në Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Të dy disertacionet i përkasin Avni Pukës.
Pas një shqyrtimi të hollësishëm, të kryer personalisht, faqe për faqe, kam konstatuar se nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por, në thelb, për të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht dhe të përdorur për fitimin e dy titujve të veçantë akademikë.
E theksoj me përgjegjësi të plotë akademike dhe profesionale se ky konstatim mbështetet në krahasimin tim të drejtpërdrejtë të dy teksteve, të cilat po jua vë në dispozicion në formën në të cilën janë paraqitur për mbrojtje në universitetet përkatëse.
Çështja është veçanërisht serioze sepse nuk lidhet thjesht me ripërdorimin e pjesëve të një punimi shkencor, por me përdorimin e pretenduar të së njëjtës tezë doktorature për marrjen e dy titujve të veçantë të doktorit të shkencave.
Natyrisht, duhet dalluar kjo situatë nga programet e ligjshme të bashkëpunimit ndëruniversitar, përfshirë doktoraturat e përbashkëta dhe programet me bashkëmentorim, të cilat mbështeten në marrëveshje dhe procedura të përcaktuara paraprakisht.
Jashtë kësaj, gjë që nuk është rasti me zotin Avni Puka, asnjë universitet në Evropë nuk lejon një shëmti të tillë.
Edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka rregullativë të qartë që ndalon mbrojtjen e njëkohshme ose të njëpasnjëshme të së njëjtës doktoraturë gjetiu. Të gjithë ne e dimë që, kur botojmë punime akademike, pyetja e parë që na bëhet është nëse ndonjë pjesë e punimit ose punimi në tërësi është botuar diku, ose është mbrojtur në mënyrë publike.
Kjo është arsyeja pse Avni Puka, që nga dita e nesërme pasi unë kam denoncuar se ai ka bërë fals doktoraturën, ka fshirë nga CV-ja e tij të dhënën që ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza”. Sot e kësaj dite ai nuk ka guxuar ta bëjë nostrifikimin e diplomës së tillë, i vetëdijshëm se një gjë e tillë përbën edhe vepër penale, por edhe skandal epik akademik.
Ju ftoj që t’i shqyrtoni personalisht të dy disertacionet. Krahasimi i tyre do t’ju mundësojë të vlerësoni drejtpërdrejt bazueshmërinë e konstatimeve të mia.
Për këtë çështje u jam drejtuar edhe institucioneve kompetente në Itali, përfshirë Universitetin “La Sapienza” dhe Ministrinë italiane të Universiteteve dhe Kërkimit, duke kërkuar sqarime lidhur me ligjshmërinë e procedurave dhe kompetencat për shqyrtimin e parregullsive të mundshme.
Ndërkohë, mbetet të shihet se çfarë informacionesh dhe dokumentesh do të sigurojë Prokuroria e Kosovës nga autoritetet italiane, në vijim të kërkesës që, sipas informacioneve të mia, u është drejtuar atyre disa muaj më parë.
Integriteti akademik nuk është çështje private e individëve që fitojnë tituj shkencorë. Ai është interes publik dhe përgjegjësi institucionale. Heshtja përballë dyshimeve serioze, të mbështetura në dokumente të verifikueshme, nuk i shërben as shkencës, as universiteteve dhe as shoqërisë.
Me këtë bindje po i ndaj me ju këto materiale, duke shpresuar se ato do të shqyrtohen me seriozitetin që meritojnë.
Ju dëshiroj lexim të vëmendshëm!
Me respekt,
Enveri
Burimi: Insajderi