
Punimet shkencore të hulumtuesve kosovarë në disa raste po regjistrohen si të Serbisë në platformën ndërkombëtare “Scopus”, e cila indekson publikimet akademike dhe mundëson vlerësimin e autorëve, revistave dhe ndikimit të kërkimeve shkencore.
Kjo situatë lidhet me mënyrën se si platforma i regjistron të dhënat e institucioneve akademike, ku krahas emrit të Universitetit të Prishtinës shfaqet edhe Serbia si shtet me të cilin lidhet institucioni.
Në shtator të vitit 2022, platforma “Scopus” e kishte njohur Kosovën, duke e vendosur emrin e saj në publikimet shkencore të hulumtuesve kosovarë. Megjithatë, në korrik të vitit 2023, emri i Serbisë ishte rikthyer në publikimet e studiuesve nga Kosova.
“Scopus” është një nga databazat më të njohura ndërkombëtare të të dhënave bibliografike dhe citimeve shkencore, e cila përdoret për indeksimin, kërkimin dhe analizimin e publikimeve akademike.
Universiteti i Prishtinës e përdor këtë platformë për evidentimin e publikimeve shkencore të profesorëve të tij, çka e bën të rëndësishëm identifikimin e saktë të autorëve dhe institucioneve akademike kosovare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali