
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, po qëndron për vizitë në Budapest, ku ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE.
Sipas njoftimit zyrtar, Zulfaj e ka nisur vizitën me një takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, László György Velkey.
Gjatë takimit, ai e ka falënderuar Hungarinë për kontributin në paqen dhe sigurinë e Kosovës përmes misionit të NATO-s, KFOR.
“Hungaria është kontribuuesi i madh i misionit”, ka deklaruar Zulfaj.
Ai ka vlerësuar edhe programin e bursave “Stipendium Hungaricum”, përmes të cilit qindra studentë nga Kosova kanë pasur mundësi të studiojnë në universitetet hungareze.
Një nga temat kryesore të takimit ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, në prag të publikimit të Pakos së Zgjerimit nga Komisioni Evropian, që pritet në fund të tetorit.
Zulfaj ka kërkuar mbështetjen aktive të Budapestit për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në merita, respektimin e vlerave themelore evropiane dhe përafrimin me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Kosova i përmbush këto vlera përmes demokracisë, lirisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Në fund, kryenegociatori ka falënderuar Hungarinë për mbështetjen e deritanishme dhe ka përshëndetur rolin e saj në grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, duke kërkuar përkrahjen e Budapestit në hapat e ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kryenegociatori Zulfaj kërkon mbështetjen e Hungarisë për statusin kandidat të Kosovës në BE appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali