
Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, familja e saj është rikthyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë herë me shpresën se procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit Adnan Jashari do t’i japë fund pritjes së gjatë për drejtësi.
Babai i viktimës, Gëzim Kastrati, ka folur për vuajtjet e familjes gjatë këtyre viteve, duke kritikuar edhe mosveprimin e institucioneve, të cilave, sipas tij, u ishte drejtuar për ndihmë.
“Ky rast pas 15 vjetësh është një drejtësi e vonuar, por besojmë dhe shpresojmë se do ta marrë epilogun e merituar”, deklaroi Kastrati pas seancës gjyqësore.
Ai tha se kishte kërkuar ndihmë nga institucionet edhe para vrasjes së vajzës së tij, por pretendon se askush nuk e kishte pranuar për t’i dëgjuar shqetësimet e tij.
“Po, edhe para rastit të vajzës sime, 6 muaj jam marrë me këtë çështje. Atëherë s’ka qenë Pallati i Drejtësisë. Ka pasur shtëpi dhe institucione të tjera. Askush nuk më ka pranuar që të flas, të shprehem, të prononcohem për situatën, që ta zgjidhim këtë çështje”, tha ai.
“Por edhe sot, edhe nesër, nuk do të ndalemi”, shtoi Kastrati.
I pyetur në kontekstin e vrasjes së fundit të Arlinda Zekajt, babai i Dianës tha se solidarizohet me familjen e saj, por nuk dëshiron të bëjë krahasime mes viktimave.
Ai ngriti shqetësime për përgjegjësinë e zyrtarëve institucionalë, duke pretenduar se neglizhenca e tyre ka ndikuar në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Ndërkohë, avokatja e familjes, Miranda Haxhiu, e cilësoi procesin si drejtësi të vonuar dhe kërkoi që institucionet të sigurojnë praninë e të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati.
“Ky gjykim do të zhvillohet në mungesë dhe presim nga drejtësia e Kosovës që të sigurojë edhe prezencën e të pandehurit në këtë procedurë”, deklaroi Haxhiu.
Diana Kastrati, 27-vjeçare, u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, teksa po shkonte në fakultet.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 22 tetor 2026 ndaj ish-bashkëshortit të saj, Adnan Jashari, për veprën penale të vrasjes së rëndë.
I akuzuari vazhdon të jetë në arrati, ndërsa procedura gjyqësore është paraparë të zhvillohet në mungesë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali