Një 38-vjeçar shqiptar dhe një 34-vjeçare greke janë arrestuar nga policia greke në rajonin e Kastorias, nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas mediave greke, arrestimi i tyre u bë mbrëmjen e së martës, më 10 nëntor, pasi policia ndaloi për kontroll një veturë që po lëvizte në mënyrë të dyshimtë në një zonë të Kastorias.
Vetura drejtohej nga 34-vjeçarja greke, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej 38-vjeçari shqiptar.
Gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të automjetit policia zbuloi dy çanta udhëtimi, në të cilat ishin fshehur 18 paketime me marihuanë të papërpunuar, me peshë të përgjithshme prej 18 kilogramësh e 800 gramësh.
Përveç lëndës narkotike, autoritetet greke sekuestruan edhe veturën që dyshohet se ishte përdorur për transportimin e saj, dy telefona mobilë dhe dy karta SIM, shkruan Protothema.gr, transmeton Telegrafi.
Hetimet për rastin po zhvillohen nga Departamenti për Luftimin e Narkotikëve në Kastoria.
Ndaj dy të arrestuarve është ngritur dosje penale për vepër të rëndë penale, ndërsa ata pritet të paraqiten para prokurorisë kompetente në Kastoria./Telegrafi/