Portugalia anulon më shumë se 300 fluturime dhe mbyll shkollat ​​për shkak të stuhisë Charles

Portugalia anulon më shumë se 300 fluturime dhe mbyll shkollat ​​për shkak të stuhisë Charles

Written by

in

Më shumë se 300 fluturime drejt dhe nga Portugalia u anuluan, ndërsa bizneset dhe të gjitha shkollat në mbarë vendin mbyllën dyert përpara se stuhia “Charles” të godiste territorin portugez.

Megjithatë, reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kaluan pa shkaktuar dëme të rënda.

Të mërkurën u pezulluan operacionet në katër aeroporte të ndryshme ndërkombëtare, si dhe u mbyllën qindra supermarkete dhe të gjitha shërbimet publike jo thelbësore në të gjithë vendin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, për herë të parë, rreth 8,000 shkolla në Portugali anuluan mësimin për shkak të parashikimit për një stuhi të fuqishme nga Atlantiku.

Rrugët mbetën kryesisht të shkreta kur mbërriti stuhia “Charles”, pasi qeveria u kishte kërkuar qytetarëve të qëndronin në shtëpi, nga frika e skenarit më të keq.

Agjencia kombëtare e motit, IPMA, regjistroi erëra me shpejtësi mbi 120 km/h në disa zona.

Autobusë pa pasagjerë qarkulluan në kryeqytetin e vendit, Lisbonë, ku disa rrugë u përmbytën për shkak të bllokimit të kanaleve të shkarkimit të ujit.

Një zinxhir kombëtar supermarketesh mbylli pikat e tij të shitjes, ndërsa konferenca teknologjike “Web Summit” në Lisbonë – ku merrnin pjesë rreth 70,000 persona – anuloi aktivitetet e planifikuara për atë ditë.

Reagimi i qeverisë

Deri në mesditë, vetëm rajoni jugor i Algarves – një destinacion i njohur turistik evropian – mbeti nën “alarmin e kuq” (niveli më i lartë i emergjencës), ndërkohë që fillimisht ky alarm mbulonte më shumë se gjysmën e vendit.

Të martën, stuhia “Charles” kishte goditur ishullin portugez të Madeirës, në veriperëndim të Afrikës, me erëra që arrinin shpejtësinë 130 km/h.

Në janar, qeveria e qendrës së djathtë u përball me kritika të ashpra për reagimin e saj të dobët kur stuhia “Kristin” goditi Portugalinë qendrore, duke rrëzuar mijëra pemë dhe duke shkaktuar dëme të shumta në prona, të cilat ende po riparohen.

Në shkurt, një burrë 70-vjeçar humbi jetën në rajonin jugor të Alentejos, pasi ujërat e përmbytjeve pas stuhisë “Leonardo” e morën me vete automjetin e tij nga rruga.

Kryeministri Luis Montenegro drejtoi një njësi krize, së bashku me tetë ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, për të monitoruar situatën e stuhisë.

E ministri i Brendshëm, Luis Neves – përgjegjës për sigurinë publike – hodhi poshtë pretendimet se autoritetet kishin reaguar në mënyrë të ekzagjeruar, duke theksuar se qeveria e kishte organizuar reagimin e saj në përputhje me parashikimet e motit.

Stuhia Charles parashikohej të drejtohej më vonë drejt Spanjës, ku të mërkurën punonjësit zhvilluan një grevë të përgjithshme.

Organizatorët e grevës i anuluan ose i shtynë demonstratat në disa qytete jugore, përfshirë Kordobën, Huelvën dhe Kadizin. /Telegrafi/