
Komuna e Prishtinës ka miratuar themelimin e ndërmarrjes së re komunale të pastrimit, por Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dhënë vlerësim negativ për këtë vendim, duke penguar, një zgjidhje të rëndësishme për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.
Kështu ka deklaruar i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke thënë se komunat e Obiliqit dhe Fushë Kosovës kanë themeluar ndërmarrje të ngjashme, ndërsa një iniciativë e tillë po i pamundësohet Prishtinës.
“E krijuam kompaninë e re komunale të pastrimit, ashtu siç kanë vepruar edhe Obiliqi e Fushë Kosova. Por Prishtinën e bllokuan. MAPL-ja e ka kthyer vlerësimin negativ!”, deklaroi Rama.
Rama tha se kjo nuk është pengesa e vetme nga niveli qendror.
Sipas tij, edhe marrëveshja me KfW-në, në vlerë prej rreth 72 milionë eurosh, për sigurimin e 100 kamionëve shtesë dhe mijëra kontejnerëve, ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Përderisa Qeveria na bllokon vazhdimisht, çmimin po e paguajnë qytetarët e Prishtinës!”, u shpreh Rama.
Përballë kësaj situate, Kryeqyteti ka ndërmarrë masa alternative, duke angazhuar operatorë privatë, me mbështetjen e UNDP-së, për t’i dalë në ndihmë ndërmarrjes “Pastrimi” në grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.
Ai bëri të ditur se Kryeqyteti ka ndarë buxhet shtesë për angazhimin e operatorëve privatë, ndërsa kapacitetet e shtuara të kamionëve pritet të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes me mbeturinat gjatë ditëve në vijim.
Kryetari Rama theksoi se, pavarësisht pengesave nga niveli qendror, Kryeqyteti do të vazhdojë të gjejë zgjidhje për qytetarët.
“Tentimet e tyre për bllokim dhe sabotazh asnjëherë nuk kanë arritur të na ndalin. Ne kemi vazhduar me zhvillimin e Kryeqytetit, i kemi tejkaluar sfidat dhe do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, theksoi ai.