
Ish-shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, i cili ishte bërë drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Investime dhe Eksport, nuk është më as në këtë pozitë. Arsyet nuk dihen. Luan Dalipi ishte i paqasshëm për t’u përgjigjur rreth kësaj.
Luan Dalipi, ish-shef i stafit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pak muaj pasi e la punën në zyrën e shefit të Qeverisë, ishte bërë drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Investime dhe Eksport, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Dalipi, siç merr vesh Gazeta Express, nuk e mban më as pozitën e drejtorit të kësaj agjencie, e cila ishte themeluar për të promovuar dhe rritur investimet në Kosovë dhe për të ndihmuar bizneset vendore që të eksportojnë produktet dhe shërbimet e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Ai ka qenë i paqasshëm në telefon për t’iu përgjigjur.
Dalipi kishte mbajtur pozitën e shefit të stafit të Kurtit për mbi 5 vjet.
Në fund të shkurtit, ai njoftoi se po e linte këtë pozitë, duke thënë se ato vite në ZKM “kanë qenë vite jashtëzakonisht përmbushëse personalisht dhe profesionalisht” për të.
“U jam përgjithmonë mirënjohës të gjithë atyre me të cilët kam bashkëpunuar drejtpërdrejt, e veçanërisht Kryeministrit Kurti, për mundësinë që të jap kontributin tim, sado modest, në qeverisje. Po ashtu, jam shumë falënderues ndaj kolegëve në Kabinet dhe në ZKM, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe kabineteve dhe stafeve të tyre, përfshirë edhe kolegët shërbyes civilë në të gjitha dikasteret qeveritare. Të gjithë këta punojnë me përkushtim dhe me nder, shumica dërrmuese larg vëmendjes së publikut, që shteti të funksionojë çdo ditë e më mirë”, shkruante ai në një postim në Facebook më 26 shkurt.
Thoshte se ndjehej mirë që, me të tjerët, kishin arritur ta “përmirësonin vazhdimisht performancën e Qeverisë”.
“Puna e Qeverisë është sa komplekse, aq edhe interesante, por shpesh reduktohet padrejtësisht vetëm në disa aspekte të përditshme puro-politike. Janë dhjetëra mijëra punonjës e profesionistë që punojnë me zell dhe përkushtim në sektorin publik. Prandaj, ka nevojë për ngritje të vazhdueshme të vetëdijes qytetare mbi punën e institucioneve publike. Pikërisht kështu kultivohet edhe një kulturë ku sa më shumë profesionistë të rinj duan t’i bashkohen sektorit publik, për t’u angazhuar në diçka që ua përmbush zemrat dhe ua forcon mendjet”, shkruante ai.
Pak muaj pas atij postimi, Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike kishte bërë të ditur se Luan Dalipi kishte dalë i pari ndër kandidatët për pozitën e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Fillimisht, më 5 qershor 2026, kjo ministri kishte publikuar një listë të kandidatëve që e kishin kaluar testin me shkrim për atë pozitë. Në fund të atij muaji, më 25 qershor, ishte publikuar renditja përfundimtare e kandidatëve. Sipas njoftimit zyrtar, Luan Dalipi ishte renditur i pari me 80.6 pikë, ndërsa kandidati tjetër, Alban Maliqi, kishte marrë 73.8 pikë.
Në njoftimin për rezultatet e atij konkursi, nuk ishin dhënë informacione se kush kishin qenë anëtarët e komisionit vlerësues.
Vetë Dalipi, i pyetur atëherë nga Kallxo.com nëse përzgjedhja e tij në këtë pozitë paraqiste konflikt interesi dhe nëse për konkursin kishte qenë i njoftuar kryeministri Kurti, kishte thënë se agjencia nuk kishte ekzistuar kur ai shërbente në ZKM.
“Pozita e Shefit të Stafit është funksion politik dhe këshillëdhënës – pa kompetenca ekzekutive-administrative mbikëqyrëse ndaj organeve të tjera… Kur kam vendosur që mos të vazhdoj në Kurtin 3 si Shef Stafi, nuk isha i vendosur për të aplikuar, pasi as që e dija nëse dhe kur do të shpallej kjo pozitë. Anëtarët e Komisionit i kam takuar vetëm gjatë testit me shkrim dhe intervistës, si gjithë kandidatët tjerë”, kishte deklaruar ai.
AIE është pjesë e një riorganizimi institucional të paraparë me Ligjin për Investime të Qëndrueshme, të miratuar më 2024.
Në korrik të vitit të kaluar, Zyra e Rregullatorit për Energji i pati dhënë licencë si furnizues të energjisë elektrike “Management & Development Associates”, kompanisë së Driton Dalipit, vëllait të Luan Dalipit.
Luan Dalipi kishte deklaruar se vëllai i tij “nuk është ministër, as këshilltar, as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër”.
Burimi: Insajderi