Italia ofron 50 shtëpi falas për dhjetë vjet, rajoni i Kalabrisë paguan edhe rinovimin

Italia ofron 50 shtëpi falas për dhjetë vjet, rajoni i Kalabrisë paguan edhe rinovimin

Written by

in

Rajoni italian i Kalabrisë ka nisur programin “Ripopola Calabria”, përmes të cilit ofron 50 shtëpi dhe apartamente në 26 komuna të vogla, pa pagesë për dhjetë vjet.

Përveç përdorimit falas të pronave, rajoni mbulon edhe të gjitha shpenzimet e rinovimit.

Pronat janë në pronësi të bashkive dhe kanë sipërfaqe deri në 140 metra katrorë. Ato do t’u dorëzohen përfituesve vetëm pasi të përfundojnë punimet. Për programin janë ndarë 20 milionë euro nga Plani i Zhvillimit dhe Kohezionit të Kalabrisë.

Mund të aplikojnë personat madhorë që nuk kanë jetuar në Kalabri gjatë tre viteve të fundit dhe dëshirojnë të zhvendosen përgjithmonë në një nga komunat pjesëmarrëse.

Përfituesit duhet ta regjistrojnë vendbanimin në adresën e shtëpisë dhe ta mbajnë atë për të gjithë periudhën dhjetëvjeçare. Pronat nuk mund të jepen me qira, të nënqirren apo të përdoren për aktivitete biznesi.

Përparësi në përzgjedhje kanë familjet me fëmijë, prindërit e vetëm, çiftet e reja, personat që punojnë nga distanca, të vetëpunësuarit, personat me aftësi të kufizuara, si dhe punonjësit e sektorit kulturor dhe krijues.

Mund të aplikojnë edhe banorët me origjinë nga Kalabria që janë larguar të paktën tre vjet më parë dhe dëshirojnë të kthehen.

Aplikimet bëhen vetëm online, përmes portalit zyrtar të programit, dhe kërkohet identitet dixhital italian ose evropian.

Afati i aplikimit është deri më 18 dhjetor, në orën 17:00. Kandidatët mund të përzgjedhin deri në tri prona, ndërsa për secilën krijohet një listë e veçantë renditjeje.

Kontrata dhjetëvjeçare nis vetëm pasi shtëpia të jetë rinovuar dhe t’i dorëzohet përfituesit. Pas përfundimit të kësaj periudhe, rajoni dhe bashkia mund të propozojnë vazhdimin e kontratës ose blerjen e pronës me çmim të kufizuar, por kushtet për këtë fazë ende nuk janë përcaktuar.

Nisma synon të luftojë shpopullimin e zonave të vogla të Kalabrisë. Sipas të dhënave të publikuara në planin e programit, rajoni humbi më shumë se 124 mijë banorë nga viti 2011 deri në vitin 2024, ndërsa 324 nga 404 komunat e tij kanë më pak se 5 mijë banorë.

Autoritetet vlerësojnë se 50 shtëpitë e para mund të sjellin rreth 110 banorë të rinj.