
Dy të rinj kanë përjetuar momente frike në Prishtinë, pasi një 41-vjeçar dyshohet se i ka kërcënuar duke ua drejtuar një kallashnikov. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur pak më vonë nga Policia, e cila i ka gjetur një armë automatike AK-47 dhe municion, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 12 nëntor, rreth orës 22:45, në rrugën “Zhan Zhak Ruso” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është Avdullah Pajaziti, 41 vjeçar, ndërsa rastin në Polici e kanë denoncuar Egzon Maloku, 24 vjeçar dhe Edonis Bilalli, 25 vjeçar.
Dy të rinjtë kanë deklaruar se Pajaziti i kishte kanosur me një armë të gjatë zjarri, të cilën ua kishte drejtuar, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Pas denoncimit, njësitë policore kanë nisur kërkimet dhe kanë arritur ta lokalizojnë 41-vjeçarin në afërsi të vendit ku kishte ndodhur incidenti.
Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike AK-47, një karikator dhe tetë fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë kryer veprimet e nevojshme dhe kanë sekuestruar armën me municionin.
Sipas informacioneve policore, gjatë incidentit nuk ka pasur të shtëna me armë dhe as persona të lënduar. Dy të rinjtë kanë deklaruar se arma u ishte drejtuar në formë kërcënimi.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Ndaj Pajazitit janë iniciuar hetimet për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali