Kurti paralajmëron Serbinë: Mund ta rishikojmë tërësisht marrëveshjen e Brukselit për energjinë

Kurti paralajmëron Serbinë: Mund ta rishikojmë tërësisht marrëveshjen e Brukselit për energjinë

Written by

in

Kurti paralajmëron Serbinë: Mund ta rishikojmë tërësisht marrëveshjen e Brukselit për energjinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar mundësinë e përshkallëzimit të masave ndaj Serbisë, nëse Beogradi zyrtar nuk i liron linjat e transitit të energjisë. Në mesin e masave të mundshme, ai ka përmendur edhe rishikimin e tërësishëm të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Si kundërmasë ndaj bllokimit të transitit të energjisë nga Serbia, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet e regjistruara në Serbi ose me ato që kanë pronarë shtetas të Serbisë.

Megjithatë, Kurti ka sqaruar se nga kjo masë do të përjashtohet furnizuesi i themeluar në bazë të marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë do ta përcjellë vazhdimisht situatën dhe, në rast se Serbia nuk reflekton, mund të ndërmerren masa të tjera.

“Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin furnizuesin e marrëveshjes me Brukselin, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka shpjeguar se bllokimi i transitit të energjisë nga Serbia i ka shkaktuar Kosovës pasoja të konsiderueshme. Ai ka përmendur rastet kur mbingarkesa e linjave me shtetet e tjera, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ka ndikuar në rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë elektrike.

Sipas tij, më 14 dhe 20 janar të këtij viti, për shkak të këtyre vështirësive, ishte pamundësuar sigurimi i energjisë elektrike, duke e detyruar KOSTT-in të aplikonte reduktime.

Kurti ka thënë se që nga marrja e detyrës në muajin mars, Qeveria ka bërë përpjekje për të siguruar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj Serbisë për lirimin e linjave të transitit.

Ai ka rikujtuar se në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar se Serbia kishte shkelur Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe i kishte kërkuar lirimin e linjave jo më larg se më 1 korrik të këtij viti.

Megjithatë, sipas Kurtit, vendimi nuk është zbatuar, ndonëse nga afati i përcaktuar kanë kaluar katër muaj e gjysmë.

Ai ka shtuar se Kosova ka kërkuar edhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por kjo përpjekje nuk ka dhënë rezultate.

Burimi: Insajderi