Rreth 5 mijë foshnja lindin para kohe çdo vit në Zvicër, familjet përballen me sfida të mëdha

Rreth 5 mijë foshnja lindin para kohe çdo vit në Zvicër, familjet përballen me sfida të mëdha

Written by

in

Rreth 5 mijë foshnja lindin para kohe çdo vit në Zvicër, ndërsa familjet e tyre përballen me sfida të shumta, të cilat shpesh vazhdojnë edhe pas largimit të foshnjave nga spitali.

Në shenjë ndërgjegjësimi për këtë çështje, spitalet dhe organizatat mbështetëse në vend kanë organizuar aktivitete të ndryshme me rastin e Ditës Botërore të Foshnjave të Lindura Para Kohe.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, gjatë vitit 2023 në vend kanë lindur para kohe 4 mijë e 920 foshnja, që përbëjnë rreth 6 për qind të të gjitha lindjeve. Në përgjithësi, në Zvicër lindin rreth 80 mijë foshnja në vit.

Një foshnjë konsiderohet e lindur para kohe nëse vjen në jetë para përfundimit të javës së 37-të të shtatzënisë. Këto lindje mund të shoqërohen me komplikime shëndetësore dhe nevojë për kujdes të specializuar, veçanërisht në repartet neonatale.

Me rastin e Ditës Botërore të Foshnjave të Lindura Para Kohe, e cila shënohet më 17 nëntor, disa spitale në pjesën frankofone të Zvicrës kanë organizuar aktivitete informuese dhe mbështetëse për familjet, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.

Spitali Universitar i Lozanës ka ofruar punëtori falas në repartin e maternitetit, ku qytetarët kanë pasur mundësi të informohen për kujdesin ndaj foshnjave të lindura para kohe dhe të vizitojnë një ambulancë neonatale të pajisur posaçërisht për transportimin e tyre.

Gjithashtu, është organizuar një vrapim simbolik në mbështetje të familjeve dhe ekipeve shëndetësore.

Aktivitete të ngjashme janë organizuar edhe nga Spitali i Valaisit, ndërsa Spitalet Universitare të Gjenevës kanë planifikuar një program publik me demonstrime të inkubatorëve dhe punëtori informuese.

Mbështetje për prindërit ofrohet edhe nga organizata “Ne Trop Tot”, e cila bashkon vullnetarë që kanë kaluar vetë përvojën e lindjes së parakohshme të fëmijëve të tyre.

Organizata zhvillon takime dhe vizita në repartet neonatale, si dhe ofron përkrahje të personalizuar në spitalet e Lozanës, Neuchâtelit, Fribourgut dhe Gjenevës.

Sipas organizatës, vështirësitë me të cilat përballen familjet nuk përfundojnë domosdoshmërisht me daljen e foshnjës nga spitali, pasi kujdesi dhe përkrahja mund të nevojiten edhe për një periudhë të gjatë më pas./Telegrafi/