Dyshohet se përdori forcën ndaj qytetarit të prangosur, arrestohet një polic në Kaçanik – kërkohet suspendimi edhe i tre të tjerëve

Dyshohet se përdori forcën ndaj qytetarit të prangosur, arrestohet një polic në Kaçanik - kërkohet suspendimi edhe i tre të tjerëve

Written by

in

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

Sipas njoftimit të IPK-së, rasti ka ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë policore me katër zyrtarë kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.

“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se njëri nga zyrtarët policorë ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore duke përdorur forcën edhe pas prangosjes së qytetarit, si pasojë e së cilës ky i fundit ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Sipas hetimeve fillestare, pas arrestimit qytetari ishte dërguar në stacionin policor, por zyrtarët e përfshirë nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.

Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.

IPK ka bërë të ditur se ndaj policit të arrestuar ka pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë relevante në kuadër të hetimeve dhe vlerësimit të veprimeve të tij zyrtare.

“Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, hetuesit e IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin jo vetëm të zyrtarit të arrestuar, por edhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast.

IPK ka theksuar se do të vazhdojë hetimin e rasteve që përfshijnë dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe tejkalim të autorizimeve policore, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe integritetit në Policinë e Kosovës. /Telegrafi/