Inteligjenca artificiale po gjen gjithnjë e më shumë përdorim në fushën e arsimit, duke krijuar mundësi të reja për mësimdhënie dhe nxënie, por edhe sfida sa i përket përdorimit të saj të përgjegjshëm në shkolla.
Pikërisht për këtë temë, Akademia Dukagjini organizoi edicionin e parë të serisë së forumeve profesionale “Education 360”, me temën “Inteligjenca artificiale në arsim: Mundësitë, kufijtë dhe praktika”.
Eksperti i arsimit, Bardhyl Musai, tha se inteligjenca artificiale është pjesë e revolucionit të katërt industrial dhe ofron mundësi të shumta për ta lehtësuar dhe përmirësuar punën e mësimdhënësve.
Megjithatë, ai theksoi se përdorimi i kësaj teknologjie nuk duhet të çojë në zëvendësimin e mendimit dhe aftësive njerëzore.
“Inteligjenca artificiale na ndihmon, por nuk e zëvendëson punën tonë. Ne gjithmonë do të përqendrohemi te të menduarit, duke e shfrytëzuar inteligjencën artificiale për të rritur rendimentin e punës sonë”, u shpreh Musai.
Ai paralajmëroi edhe për rreziqet që mund të sjellë përdorimi i pakontrolluar i saj, duke përmendur varësinë nga teknologjia dhe dembelizmin në procesin e të nxënit.
“Inteligjenca artificiale nuk e zëvendëson mençurinë e njeriut asnjëherë”, theksoi Musai.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Akademisë Dukagjini, Blerim Muhaxhiri, bëri të ditur se ky forum është i pari nga gjashtë edicionet e planifikuara, të cilat do të trajtojnë tema të ndryshme që lidhen me arsimin.
Ai tha se inteligjenca artificiale është zgjedhur si temë e edicionit të parë për shkak të diskutimeve të shumta rreth saj, por edhe nevojës për ta sjellë përdorimin e saj në praktikë.
Muhaxhiri njoftoi se pas forumit, Akademia Dukagjini do të publikojë një udhëzues praktik me 50 kërkesa (prompte), në gjuhën shqipe, të cilat do t’u ndihmojnë mësimdhënësve në përgatitjen dhe realizimin e orëve mësimore.
“Ne si Akademi e kemi marrë përsipër që pas këtij forumi të shpërndajmë një udhëzues praktik me 50 kërkesa, që do t’u jenë në ndihmë mësimdhënësve për ta realizuar një orë mësimore më atraktive”, tha Muhaxhiri.
Sipas tij, udhëzuesi synon t’i ndihmojë edhe nxënësit që të kuptojnë si të parashtrojnë pyetje, çfarë të kërkojnë dhe si t’i vlerësojnë përgjigjet e marra nga inteligjenca artificiale.
Ai theksoi se qëllimi i përdorimit të kësaj teknologjie është lehtësimi i punës dhe përmirësimi i procesit mësimor, e jo zëvendësimi i mësimdhënësve.
Përdorimi i inteligjencës artificiale në arsim po shihet si një mundësi për modernizimin e procesit mësimor, ndërsa sfidë mbetet krijimi i një qasjeje të balancuar, ku teknologjia shërben si mjet ndihmës dhe mendimi kritik i njeriut mbetet në qendër të edukimit. /Telegrafi/