Qindra shkolla në Gjermani dhe disa të tjera në Danimarkë kanë marrë kërcënime për bomba përmes postës elektronike mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar shqetësim te autoritetet dhe institucionet arsimore.
Sipas policisë gjermane, rreth 450 shkolla në të gjithë vendin janë prekur nga këto kërcënime, megjithëse deri më tani nuk ka prova që tregojnë për ndonjë rrezik konkret.
“Aktualisht nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron se shkollat e kontaktuara përballen me ndonjë kërcënim specifik”, njoftoi policia në qytetin Freiburg, në jugperëndim të Gjermanisë.
Edhe policia e Berlinit dha një vlerësim të ngjashëm, ndërsa autoritetet në landin e Turingisë u rekomanduan shkollave të vazhdojnë aktivitetin normal, pasi dyshohet se qëllimi i autorëve është përhapja e frikës dhe jo kryerja e ndonjë sulmi.
Ndërkohë, policia daneze konfirmoi se po heton kërcënimet me bomba të dërguara në disa shkolla të vendit, duke theksuar se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.
Incidentet janë pjesë e një vale kërcënimesh të ngjashme që kanë prekur Evropën gjatë javëve të fundit.
Sipas Reuters, shkolla, supermarkete, banka gjaku, sisteme të kontrollit të trafikut ajror dhe transmetues medialë janë përballur së fundmi me kërcënime të rreme dhe sulme kibernetike.
Javën e kaluar, më shumë se dhjetë shkolla në Spanjë u evakuuan pas kërcënimeve me bomba të dërguara përmes emailit, ndërsa më herët gjatë këtij muaji mijëra shkolla në Itali morën mesazhe të ngjashme, duke çuar në evakuimin e disa prej tyre.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të përcaktuar nëse incidentet në vende të ndryshme evropiane janë të lidhura me njëra-tjetrën. /Telegrafi/