Dosja për të “sëmurin” që mashtroi: Si i grumbulloi 189 mijë euro – mbi 10 dëshmitarë në rast

Dosja për të “sëmurin” që mashtroi: Si i grumbulloi 189 mijë euro - mbi 10 dëshmitarë në rast

Written by

in

Dosja për të “sëmurin” që mashtroi: Si i grumbulloi 189 mijë euro - mbi 10 dëshmitarë në rast

Gjilanasi Endrit Azemi i njohur për publikun javët e fundit si i sëmurë nga leukemia akute, përfundoi në qeli. Ndihma e kërkuar në forma të ndryshme dhe grumbullimi i afër 190 mijë euro, dolën të jenë një mashtrim.

I riu dyshohet se ka mashtruar qytetarët me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Sipas dosjes që ka siguruar gazetarja e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, nga 9 deri më 21 nëntor 2026, Azemi, me dashje dhe në vazhdimësi, ka përdorur metoda të mashtrimit për t’i vënë në lajthim personat e tjerë, duke sajuar një situatë të rreme për gjendjen e tij shëndetësore.

Ai dyshohet se ka prezantuar dokumentacion të falsifikuar nga një spital në Stamboll të Turqisë, me pretendimin se ishte i sëmurë nga leukemia akute dhe se duhej t’i nënshtrohej trajtimit mjekësor.

Më pas, përmes hapjes së një fushate në platformën GoFundMe, si dhe aktiviteteve të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, është arritur të grumbullohen 165 mijë e 522 euro në platformën GoFundMe.

Ndërkaq, nga aktivitetet e tjera për grumbullimin e mjeteve janë mbledhur edhe 26 mijë e 684 euro, raporton Klankosova.tv

Sipas dosjes, shuma e përgjithshme e mjeteve të grumbulluara arrin në 189 mijë euro, me ç’rast qytetarëve të ndryshëm u është shkaktuar dëm në vlera të ndryshme, ndërsa i dyshuari dyshohet se ka krijuar dobi pasurore për vete.

Mbi 10 dëshmitarë, dyshohet se mund të ndikoheshin nga Azemi

Prokurori i çështjes, Klani mëson se e ka pranuar lëndën brenda afateve të përcaktuara ligjore dhe ka analizuar të gjitha rrethanat që përbëjnë bazën juridike të elementeve të veprës penale, si dhe provat e bashkëngjitura në kallëzimin penal.

Klan Kosova merr vesg se në dosje përmenden mbi 10 dëshmitarë, të cilët mund të ndikoheshin nga Azemi nëse ai do të lihej i lirë.

Kjo pasi që kziston dyshimi se ai mund të ndikojë te këta dëshmitarë, për shkak se të njëjtit kanë njohuri për ngjarjen, gjë që mund të pengojë zhvillimin e procesit dhe trajtimin e çështjes.

Po ashtu, në dosje janë përmendur edhe karakteristikat personale të të dyshuarit, mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe ambienti në të cilin jeton.

Këto rrethana janë marrë parasysh edhe në vlerësimin e mundësisë që i dyshuari ta përsërisë veprën penale.

Një tjetër aspekt i përmendur në dosje është fakti se vepra penale dyshohet të jetë kryer me dashje dhe me motiv të përfitimit personal.

Sipas arsyetimit, veprimet e dyshuara të Azemit mund të ndikojnë negativisht edhe në besimin e qytetarëve që kanë kontribuar financiarisht për rastin.

Në dosje theksohet se kjo mund të bëjë që qytetarët në të ardhmen të hezitojnë të kontribuojnë me mjete financiare për personat që kanë vërtet nevojë për trajtim mjekësor.

Endrit Azemi është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese për një muaj. /Klankosova.tv